Porti i Durrësit do të kthehet në një port turistik, i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.

Këto janë disa nga planet e projektit që ka dizenjuar arkitekti i njohur italian Marco Casamonti për këtë port, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet nga kompania Emar, me bazë në Emiratet e Bashkuara, bisedimet me të cilën do të nisin javën e ardhshme. Detajet i zbulon në një intervistë për televizionin Klan ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Porti tregtar do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, duke i dhënë kështu fund problemeve me ndotjen që ka patur deri më sot qyteti i Durrësit. Ministrja Balluku thotë se gara për dhënien me koncesion të shërbimeve portuale të portit të ri do të hapet së shpejti, ndërsa bëhet fjalë për një ndërtim me vlerë 500 milionë Euro, e cila do të investohet nga koncesionari.  

Brenda 3 vjetësh, kohë e cila do të duhet për ndërtimin e portit të ri tregtar, të gjitha shërbimet do të vazhdojnë të mbeten në Durrës, e njëkohësisht do të nisë puna për shndërrimin e tij në një port turistik, por pa cënuar funksionin tregtar të tij.

Porti tregtar do të lidhet me zonën e Spitallës përmes një rrjeti hekurudhor, duke e kthyer në një zonë të zhvilluar ekonomike me shtim të punësimit për komunitetin që do të jetojë në 2500 banesat e reja, të cilat do të ndërtohen për të dëmtuarit nga tërmeti.

Belinda Balluku tregon se zhvillimi i këtij projekti është ambicioz dhe i menduar për t’u përshtatur me punën që do të ketë pas një dekade, duke nxitur zhvillimin e ekonomisë blu e duke krijuar infrastrukturën e përshtatshme për turizmin e jahteve dhe varkave.

Kompania e Emirateve të Bashkuara, Emar, synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë Euro për ngritjen e infrastrukturës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë. /Tv Klan