Pavarësisht se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të dyshuar si i prekur nga koronavirusi dhe institucionet përgjegjëse kanë siguruar se kemi rrezikshmëri të ulët për përhapjen e tij, në pikën kufitare të Portit të Durrësit janë shtuar masat mbi monitorimin shëndetësor.

Specialistët e Sektorit të Mbrojtjes së Shëndetit në APD, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe me struktura të tjera të shëndetësisë po kryejnë monitorim të përditshëm të të gjithë pasagjerëve (por dhe personeleve të anijeve tregtare) që hyjnë nëpërmjet pikës kufitare të Portit të Durrësit, duke parë me përparësi origjinën nga ata vijnë.

Ata kanë në dispozicion edhe termometrat me lazer, për matjet e temperaturës në distancë (nëse do të jetë e nevojshme), si dhe gjithë pajisjet e duhura, për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme këto lloj kontrollesh.

Porti i Durrësit kërkon mirëkuptimin e të gjithë udhëtarëve, për masat shtesë që do të aplikohen edhe në vijim, duke i siguruar ata se gjithçka është në funksion të sigurisë së tyre shëndetësore.