Autoriteti Portual i Durrësit nëpërmjet një ultimatumi të fundit, u ka kërkuar pronarëve të anijeve të flotës së peshkimit të lirojnë bankinat e portit të vjetër. Por kapaciteti i portit të ri të peshkimit nuk merr as 50 % të anijeve, ndërsa urdhri i prerë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të peshkatarëve durrsakë.

Kreu i sindikatës së peshkimit në Durrës, Klodjan Kapiti, tha se të ankoruara në pritje të riparimit të tyre janë mbi 30 anije peshkimi. Në emër të peshkatarëve, Klodian Kapiti kërkoi strehimin e mjeteve lundruese, të cilat janë aset i flotës së peshkimit të qytetit të Durrësit e jo vetëm i pronarëve të tyre.

Kapiti tha se porti i ri i peshkimit nuk ka hapësirën e nevojshme për ankorimin e 30 mjeteve lundruese që janë aktualisht jashtë funksionit. Sipas tij, porti i ri i peshkimit, një investim rreth 12 milionë euro, nuk ka kapacitete për të strehuar flotën e peshkimit të Durrësit. 

Poseduesit e këtyre mjeteve lundruese kërkojnë të shikohet mundësia për t’u strehuar diku në një ndër kalatat e portit të Durrësit deri në riparimin e tyre. Sakaq, një paradoks po ndodh me portin e ri të peshkimit, i cili për arsye burokratike nuk është marrë në dorëzim nga shoqata e peshkimit, dhe mbetet jashtë vëmendjes së autoriteve portuale. Porti është në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa ndotja masive e tij është shkaktuar sepse nuk ka asnjë menaxhim konkret nga asnjë strukturë.

K.H.