Që nga dita e shtunë e kësaj jave, për pensionistët ka nisur karantina e vërtetë. Qeveria Rama ka vendosur që asnjë prej tyre nuk do të dalë nga shtëpia deri në një urdhër të dytë për të parandaluar prekjen e tyre nga koronavirusi.

Por shumë pensionistë i shqetëson pyetja se si do ta marrin pensionin, megjithëse qeveria ka përsëritur disa herë se nuk duhet të shqetësohen për këtë gjë, sepse pensioni do ju dërgohet në shtëpi nga Posta Shqiptare, me kosto zero.

Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto tha për DurrësLajm se deri tani është bërë shpërndarja e pensioneve për 98.7% të pensionistëve të qytetit bregdetar dhe njësive administrative, madje edhe ditën e sotme, ky proces ka vijuar pa ndalur.

Përgjatë muajit mars, në bashkinë Durrës kanë marrë pensionin 25.705 pensionistë, nga të cilët 13.902 e kanë tërhequr vetë atë deri në datë 10 mars në 16 zyrat postare në të gjithë bashkinë, ndërsa për periudhën 10-29 mars 11.803 pensionistëve u është dorëzuar pensioni në shtëpi.

“Vlen të përmendet këtu puna mjaft e mirë e bëra gjatë këtyre ditëve nga Posta Shqiptare Durrës, e cila ka vijuar pa asnjë ndërprerje punën duke mundësuar shpërndarjen e pensioneve në përputhje me VKM-në e qeverisë, nr. 236, datë 19.03.2020, “Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë në kushtet e pandemisë të shkaktuar nga Covid-19”, – tha prefekti Nasto.

Përveç bashkisë Durrës, e njëjta punë e mirë është bërë sipas prefektit Nasto edhe në bashkinë Krujë dhe Shijak ku janë shpërndarë respektivisht 8.569 dhe 4.783 pensione.

“Gjatë këtij muaji janë 39.057 pensionistë në të gjithë qarkun që kanë marrë pensionin. Vetëm rreth 1% e pensionistëve nuk e kanë marrë ende, pasi janë jashtë shtetit. Ju siguroj se kjo punë e mirë do të vijojë edhe gjatë muajit prill. Asnjë pensionist nuk duhet të dalë nga shtëpia. Pensioni do t’ju vijë në shtëpi, të mos shqetësohen”, – deklaroi Nasto.

Prefekti bëri të ditur gjithashtu, se nga dita e hënë do të nisë shpërndarja e ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë. Për ata që janë të pamundur do të bëhet shpërndarja në shtëpi, ndërsa të tjerët mund ta tërheqin pranë sporteleve përkatëse, por duke respektuar distancat dhe të gjitha apelet e bëra nga autoritetet shëndetësore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përsa i përket marrjes së ilaçeve, prefekti nënvizoi se pensionistët do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me mjekët e familjes. Nga e hëna, mund të nisë funksionimi i një numri jeshil pranë qendrave shëndetësore, ku pensionistët mund të telefonojnë për të kontaktuar me mjekët e familjes, apo mjekët specialistë. Sipas prefektit Nasto, edhe ilaçet do t’u dërgohen në shtëpi pensionistëve apo invalidëve të vetmuar përmes stafit mjekësor të qendrave shëndetësore apo farmacive.