Një javë pas tërmetit, një qytetar nga Durrësi që edhe ditë më parë ka denoncuar situatën mjaft të rëndë në pallatin ku ai banon vazhdon të jetë mjaft i shqetësuar.

Pallati i tij ndodhet ngjitur me spitalin e Durrësit dhe sipas qytetarit është ndërtuar nga deputeti socialist Sadri Abazi.

Qytetari ngre shqetësimin se grupet e inspektimit nuk futen dot për të bërë inspektimin në garazh, pasi që nga koha e ndërtimit të pallatit kolonat janë të rrethuara nga një metër ujë.

Sipas qytetarit, prej 3 ditësh zjarrfikësit s’kanë mundur ende ta largojnë ujin, gjë që do të mundësonte një inspektim më të hollësishëm në godinë.

Fotot dhe pamjet filmike tregojnë dëmtimet e shumta të pësuara në të gjithë godinën.

Deputeti socialist Sadri Abazi u denoncua sot edhe nga ish-deputetja demokrate Fatbardha Kadiu, e cila, në një status në Facebook shkruante se “Sadri Abazi dhe babezia e rilindjes. Ky njeri eshte për burg. Brenda 24 oreve të termetit vjen në zonen e plazhit të prish më urgjence dy kater shtese të ndertuara pa leje. Lart dallohen prishjet.”