19/11/2019 - 18:51
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella, përfunduan një vizitë zyrtare, në Shqipëri, ndërsa vendi përgatitet të marrë Kryesinë e OSBE-së, në vitin 2020.
Në Tiranë, Delegacioni i Asamblesë Parlamentare zhvilloi takime me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, Kryeministrin, Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, deputetë të Kuvendit dhe përfaqësues të opozitës politike. Ata, gjithashtu, patën takime informuese me Kryetarin e Prezencës së OSBE-së, ambasadorin Bernd Borchardt, si edhe anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare.
Diskutimet u përqendruan në përparësitë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së, si dhe përparësitë e politikës së jashtme shqiptare dhe problemet e saj të brendshme. Në këtë drejtim, Presidenti Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm Montella rikonfirmuan mbështetjen e plotë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe përshëndetën vendosmërinë e Qeverisë për të nxitur frymën e përgjegjësisë kolektive gjatë kryesimit të OSBE-së. Presidenti Tsereteli, gjithashtu, nxiti të gjitha forcat politike të bashkojnë përpjekjet për të kontribuar në angazhimin e vendit për të udhëhequr OSBE-në vitin e ardhshëm.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare diskutoi me homologët shqiptarë për sfidat e brendshme të vendit. Në veçanti, palët diskutuan rreth përparimit të reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore dhe nevojës që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të vihen në jetë përmes një procesi gjithëpërfshirës.
"Unë mund të konfirmoj që Asambleja Parlamentare është e vendosur të mbështesë Shqipërinë që ajo të çlirojë potencialin e saj të plotë gjatë kryesimit të OSBE-së", tha Presidenti Tsereteli. “Nxis trajtimin e boshllëqeve në proceset e reformave sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe zgjedhjeve. Shoh një nevojë urgjente për forcimin e besimit të publikut tek institucionet".
Në kuadrin e reformave në proces dhe atyre të pritshme, u diskutua edhe vendimi i Bashkimit Evropian për shtyrjen e vendimmarrjes mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Delegacioni i OSBE-së pati takime edhe me përfaqësues të grupeve të opozitës parlamentare, përfshirë deputetët Rudina Hajdari, Nimet Musaj dhe Adriatik Alimadhi, si dhe me përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Sekretari i Përgjithshëm Montella, duke mbajtur shënim kritikat e opozitës ndaj qeverisë dhe disa organizatave ndërkombëtare që veprojnë në vend, nxiti opozitën jashtëparlamentare të japë kontributin e saj konstruktiv, me qëllim që drejtimi i OSBE-së, në vitin 2020, të realizohet në frymën e bashkimit kombëtar dhe të përgjegjshmërisë ndaj organizatës, për trajtimin në mënyrë efektive të nevojave të qytetarëve të cilëve u shërben OSBE-ja.
"Unë u bëj thirrje të gjithë aktorëve institucionalë, politikë dhe kombëtarë që të vendosin në plan të parë përgjegjësinë strategjike dhe kolektive. Jam i bindur që ky është investimi më i mirë për Shqipërinë në të ardhmen afatmesme", tha Montella.
/portali DurresLajm/