Nëntori nisi me reshje, pas një periudhe të gjatë me mot të mirë dhe temperatura të larta, që favorizuan pushuesit dhe turistët të shijonin rrezet e diellit dhe larjen në det deri në fund të tetorit. Turizmi në Durrës mbetet një nga resurset më të rëndësishme për ekonominë e qytetit bregdetar. Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, vetëm vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi ishin rreth 115 milionë euro. Po sipas kësaj dhome, në dekadën e fundit, operatorët turistikë kanë investuar rreth 500 milionë dollarë në këtë sektor, por kohëzgjatja e tij është një nga penalizimet kryesore të subjekteve private.

Megjithëse vitet e fundit është vënë re rritje e numrit të turistëve të huaj që pushojnë në hotelet që shtrihen përgjatë vijës sonë bregdetare, madje edhe kohëzgjatja e sezonit ka ndryshuar duke u shtrirë nga maji deri në shtator apo tetor, problematikat janë të shumta. Në një takim që kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi në fillimjavë me bizneset në Durrës, sipërmarrësi Edmond Luadhi nënvizoi se mungesa e stafit profesional ndihet tek shumë biznese turistike. Sipas tij, mungojnë shkollat për të përgatitur profesionistë në këtë sektor dhe për këtë arsye shtimi i numrit të resorteve turistike dhe turistëve të huaj që kërkojnë shërbim të kualifikuar, i ka detyruar operatorët ta trajnojnë vetë stafin për t’iu përgjigjur nevojave të tregut. Por në disa raste, është e vështirë edhe të gjesh staf, për shkak të numrit të lartë të të rinjve që emigrojnë jashtë. Nga ana tjetër, Luadhi tha se “megjithëse është trumbetuar më shumë se një vit më parë se TVSH-ja për turizmin do të jetë 6%, edhe këtë sezon unë trajtohem në nivelin 20%, sepse ai ligj që është hartuar është ligj gjysmak.”

Ndërkohë, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, deklaron për DurrësLajm se problematikat kryesore që ndikojnë në mbarëvajtjen e sezonit turistik janë mungesa e investimeve dhe marrja e masave në kohë nga autoritetet.

Duke marrë shkas nga aksioni për lirimin e hapësirave publike që u ndërmor përgjatë gjithë vijës bregdetare në kulmin e sezonit turistik, Isteri thotë se “ndërsa bëhen ndërhyrje në mes të sezonit dhe kjo ndërhyrje reklamohet në medie si arritje, kjo është një goditje për operatorët vendas dhe sipërmarrësit e huaj që mund të jenë të interesuar të investojnë në vendin tonë në këtë sektor. Investitorët e huaj largohen nga frika, por efektet e këtyre ndërhyrjeve mund të kenë pasoja edhe për të ardhmen. Bashkia mund të marrë masa që para sesa të nisë sezoni, mos t’i lejojë privatët të zënë hapësirat publike, sepse ndërhyrja në mes të sezonit është kosto për operatorët, pasi ata kanë bërë investime për shezlongje, çadra etj.”

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës e sheh mungesën e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit si një minus të madh për bizneset, sepse sipas tij “bëhet pengesë për zgjerimin e tyre dhe rrezikon qëndrueshmërinë e aktivitetit në të ardhmen,”

Në të njëjtën kohë, Isteri sheh si problematikë edhe mungesën e marketingut dhe ofertave në këtë fushë. Megjithëse nuk mungojnë iniciativat individuale nga ana e subjekteve për oferta turistike, shpesh një turist që viziton Durrësin nuk gjen të dhëna për atë që ofron qarku ynë.

Këtë vit ka pasur një shtim të numrit të bizneseve që futen në “listën e zezë” për shkak se nuk arrijnë të shlyejnë në kohë detyrimet tatimore. Madje, sipas statistikave nga web-i i tatimeve, në muajt korrik-gusht konstatohet një shtim më i shpejtë i numrit të bizneseve në borxh tatimor, periudhë kjo që përkon me aksionin anti informalitet të ndërmarrë nga qeveria Rama.

Vetëm gjatë vitit 2019, u shtuan edhe 7640 biznese ose 27.4% më shumë që nuk paguajnë në kohë detyrimet tatimore, ndërkohë që “lista e zezë” numëron deri në fund të muajit gusht të këtij viti 27.915 biznese gjithsej. Sipas Isterit, bizneset, ashtu edhe si konsumatorët, po i ndjejnë efektet e krizës ekonomike, të cilës i shtohen edhe pasojat e krizës politike që ka mbërthyer vendin prej gati një viti.

Në një kohë që bizneset turistike në Durrës mund ta konsiderojnë të mbyllur sezonin dhe kanë bërë edhe bilancin e tij, autoritetet në qytetin bregdetar ende nuk kanë bërë publike asnjë statistikë për sezonin veror që lamë pas.

Në mbledhjen e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, të mbajtur dy ditë më parë në Durrës, e ku të pranishëm ishin drejtuesit e shumë institucioneve e drejtorive vendore është analizuar sezoni turistik 2019.

“Në këtë takim u bë analiza e sezonit turistik veror 2019, u paraqitën rezultatet konkrete në fushën e turizmit të arritura, u analizuan arritjet dhe problematikat nga të gjithë institucionet, degët territoriale që ofrojnë shërbime në drejtim të turizmit. Prefekti në fjalën e tij theksoi se ky viti ishte një përvojë e suksesshme e bashkëpunimit mes strukturave të administratës shtetërore dhe vendore, falë të cilëve u sigurua një sezon turistik i suksesshëm me tregues të kënaqshëm.” – thuhet në njoftimin në rrjete sociale të postuar në faqen zyrtare të Prefekturës Durrës.

Sezon turistik të suksesshëm dhe me tregues të kënaqshëm e cilëson prefekti Nasto, por në asnjë rrjesht të njoftimit zyrtar nuk jepen statistika për sezonin e këtij viti as nuk renditen problematikat. Megjithëse këto të fundit pranohen nga autoritetet, nuk bëhet e ditur asnjë masë që do të ndërmerret në vijim për të evituar situata të ngjashme edhe gjatë sezonit turistik të vitit të ardhshëm.

M.B.