Derdhja e ujërave të zeza në det është pamja më e shëmtuar që iu serviret pushuesve vendas dhe të huaj që zgjedhin bregdetin e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore.

Ky është një problem që mbetet mjaft shqetësues prej vitesh në qytetin e Vlorës. Më herët Kryeministri Edi Rama në një prej vizitave të tij në qytetin bregdetar, premtoi se që në vitin 2018 do të fillonte puna për ndërtimin e impiantit që do t’i jepte zgjidhje përfundimtare çështjes së ujërave të zeza, por edhe për këtë verë problemi është sërish prezent.

DurrësLajm” sjell pamje nga zona e Plazhit te Lungomare, ku era e rëndë kutërbon kudo, ndërsa kanali ku dalin ujërat e zeza direkt e në det është krejtësisht evident. Aty ku shkarkohen ujërat, lahen edhe pushuesit, madje edhe disa fëmijë të vegjël ndodhen pikërisht në vendin ku bashkohën ujërat e ndotura.

Ujërat e zeza që derdhen në det nuk shqetësojnë vetëm për erën e keqe, por janë së pari burim për përhapjen e infeksioneve për të vegjël e për të rritur.

Dy vite më parë, Plazhi i Vjetër dhe ai pranë Akademisë së Marinës u cilësuan gjatë monitorimeve të bregdetit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si dy nga plazhet më të ndotura në bregdetin e Vlorës. Bëhet fjalë për dy plazhe publike, ku edhe interesimi i qytetarëve mbetet mjaft i madh, pavarësisht mungesës së pastërtisë së ujit dhe ndotjes nga ujërat e zeza. Me përfundimin e projektit të Lungomares u mendua se ky problem do të zgjidhej, minimalisht në zonën e plazhit të Akademisë së Marinës, por as ky projekt nuk i dha zgjidhje situatës në këtë zonë.