Projekti i kushtueshëm i pa finalizuar edhe pas 4 vitesh, Sako: "Veliera" pritet të përfundojë në tetor (VIDEO)

01/08/2020 - 21:01

“Veliera” mund të përfundojë në muajin tetor. Kryebashkiakja Emirjana Sako, e pyetur nga DurrësLajm tha se projekti mund të marrë formën përfundimtare të tij pas rreth 2 muajsh. I nisur si projekt në fundin e vitit 2016, “Veliera” qëndron për të katërtin sezon veror një projekt i papërfunduar. Megjithëse në tetor 2019, Sako (në atë kohë në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Punëve Publike në bashkinë Durrës) pati konfirmuar përmes një komunikimi zyrtar se Vela pritej të mbërrinte dhe të montohej brenda fundit të vitit të kaluar, tërmeti i 26 nëntorit shtyu finalizimin e projektit. Më pas, pandemia Covid-19 shtyu edhe më shumë afatin e përfundimit të Velierës. Po ndërsa në shëtitoren “Taulantia” punimet vijuan përgjatë gjithë muajve të karantinës dhe masave shtrënguese, në “Velierë”, punimet për ndërtimin e bazamentit ku do të fiksohen 4 këmbët, nisën vetëm në mes të muajit korrik.

“Punimet po bëhen për ndërtimin e bazamentit të këmbëve dhe tani jemi në pritje të mbërritjes nga Italia të pjesëve të munguara të Velës. Më pas do të vijohet me montimin e saj dhe në tetor pritet që projekti të përmbyllet. Pas përfundimit të kësaj kontrate do të vijohet me një fazë tjetër që ka të bëjë me veshjen e Velës me materiale, të cilat do të zgjidhen nga studio projektuese në bashkëpunim me Bashkinë Durrës.”,- tha kryebashkiakja Sako.

Kryetarja e bashkisë në detyrë nuk preferoi të komentonte deklaratat e aktivistit Sazan Guri, të bëra disa ditë më parë, sipas të cilit në shtator dosja që aktualisht është duke u gjykuar në gjykatën e shkallës së parë Durrës do të dërgohet në SPAK.

Projekti i kushtueshëm që mori 850 milionë lekë të tjera

Në buxhetin e vitit 2020, projekti “Veliera” mori 850 milionë lekë, që i shtohen kostos së saj, rreth 4 milionë dollarë, duke e kthyer atë në një nga projektet më të kushtueshme në Durrës.

Megjithëse “rrëmbeu” 850 milionë lekë nga buxheti i bashkisë në një kohë kur në qytet pasojat e tërmetit janë ende mjaft të dukshme, fondi i ri nuk do të përdoret për punime shtesë. Ato iu akorduan kompanisë realizuese të projektit përmes një procedure me negocim pa shpallje paraprake me objekt “Shtesë kontrate “Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së portit L.I””. Kostoja shtesë e “Velierës”, sipas bashkisë erdhi për shkak se gjatë punimeve për ndërtimin e nënkalimit u rritën shpenzimet si pasojë e ndryshimeve që pësoi projekti fillestar.

Ndërkohë, dokumentet e tenderit për Shtesën e Kontratës, të cilave iu referua DurrësLajm për shkrimin e realizuar më 28 maj 2020 “Veliera e Durrësit “rrëmben” 850 milionë lekë nga taksat e qytetarëve” janë fshirë nga faqja zyrtare e Agjencisë së Prokurimit Publik!!!

Në kohën kur u realizua, tenderi “Shtesë kontrate “Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së portit L.I”” u klasifikua me Flamur të Kuq nga Open Data Albania, shenjë që nënkupton se prokurimi publik konsideron me risk për favorizimin e një kompanie klienteliste.

“Veliera” në SPAK?

Të mërkurën, shoqata “Për mbrojtjen e vlerave të Durrësit” me përfaqësuese Teuta Kalakulën dhe aktivisti Sazan Guri i kërkuan Gjykatës së Durrësit pushimin e çështjes në gjykim, për moskompetencë juridike dhe për ta trasnsferuar atë në SPAK. Kërkesa e Shoqërisë Civile pritet të konkretizohet në muajin shtator.

Pas përfundimit të seancës, zonja Kalakula u shpreh se ndihej e tronditur me personat që “kanë kurajon civile të bëjnë krime të kësaj natyre ndaj arkeologjisë, të mbulojnë historinë dhe të varrosin një qytet 3000-vjeçar. Edhe nëse ata përfundojnë në burg, nuk di nëse janë në gjendje ta paguajnë këtë dëm”, tha ajo.

Projekti mjaft i kontestuar nga e djathta durrsake dhe Shoqëria Civile, vijon ende sot e kësaj dite në dyert e gjykatave, ndërkohë që përfaqësues të PD-së në Durrës bëjnë të ditur se nëse do të fitojnë bashkinë në zgjedhjet e ardhshme, rikthimi i të gjithë zonës në gjendjen e 4 viteve më parë, do të jetë një nga vendimet e para që do të zbatohet nga administrata e re.

M.B.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ashtu sikurse mediat dhe autoritetet greke kishin njoftuar, pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë do t’u nënshtrohen rregullave dhe orare

 Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar qendrën shëndetësore nr.10 në kryeqytet, ku deklaroi se mjekët e familjes po

Situata epidemiologjike e Covid-19 po rëndohet dita-ditës në vendin tonë, me një numër të lartë të infektuarish dhe humbjesh jete.

Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 531 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ku 127 persona

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e fundit lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pasi në një deklaratë për mediat eksperti i Shëndetësisë në Partinë Demokratike

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçi ka ankimuar vendimin për izolimin e klientëve të tij në qelinë e posaçme "41-bis".

Qeveria greke ka vendosur të zgjerojë masën e mbylljes se kufirit nga ora 23:00 dhe deri në orën 07:00 të mëngjesit,me të gjitha doganat

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes vijon edhe sot punën në terren me grupet e avarive të përbëra nga 2 mijë punonjës të 11 drejtorive r