Kopshti Zoologjik i Tiranës do të pësojë një transformim rrënjësor. Projekti do të konsistojë në rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik për t’iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty, si dhe kushtet e punës për kujdestarët.

Këto ndahen në disa kategori, ku parashikohet riorganizimi i hapësirave për kafshët dhe punonjësit, vendosja e ndriçimit rrugor dhe rrjeti i linjave rezervë për internet telefoninë, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura, trajtimin e hapësirave të gjelbra dhe plotësimi me elemente të mobilimit urban, si dhe krijimi hapësirave për pushim, argëtim e piknik.

Projekti propozon krijimin e hapësirave të domosdoshme për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe kontrollin e Kopshtit Zoologjik. Me rëndësi të veçantë ka rrethimi i jashtëm i Kopshtit Zoologjik. Rrethimi do të bëhet me mur 2.5 metra nga niveli i tokës, mbi të cilin montohen kangjella 0.8 metra të larta.

I gjithë muri parashikohet të maskohet me gjelbërim dhe pemë. Veç sigurisë fizike, rrethimi ofron dhe një brez ‘buffer-i’ për zhurmat dhe privatësi nga ana vizuale.