*Bashkia Durrës diversifikon ofertat turistike tokë-det përmes peshkimit turistik

Me qëllim promovimin e turizmit të peshkimit si një praktikë të qëndrueshme të turizmit detar, Bashkia Durrës nëpërmjet zbatimit të Projektit TOURISMED, synon që të promovojë një eksperiencë ndryshe dhe unike turistike, që mund të ofrojë të ardhura shtesë për peshkatarët si dhe mund të sjellë një diversifikim të ofertës për operatorët turistikë, të cilët kanë një ndikim të qëndrueshëm në burimet e peshkimit.

Gjatë zbatimit të këtij Projekti, i cili vjen si një risi në vendin tonë, do të zhvillohen disa udhëtime pilote, ose ndryshe të konceptuara si vizita studimore. Këto udhëtime pilote do të fokusohen në shkëmbimin e pikëpamjeve dhe eksperiencave ndërmjet vendeve partnere në këtë Projekt, si Trabia/Siçilia (Itali), Valencia (Spanjë) Korsika (Francë), Rafina (Greqi) etj., me qëllim testimin dhe promovimin e udhëtimeve të peshkimit, si një praktikë e qëndrueshme e turizmit bregdetar dhe detar në zonën e Mesdheut.

Kështu, nga data 30 tetor deri më datë 1 nëntor 2018, Bashkia Durrës do të ofrojë disa udhëtime pilote (pa pagesë), sipas 3 itinerareve të paracaktuara nga eskpertët e turizmit të peshkimit në bashkëpunim me peshkatarët dhe operatorët turistikë. Gjatë këtyre udhëtimeve, është parashikuar që të merren në bord deri në 160 turistë (vendas dhe të huaj), në përputhje me të gjitha masat e sigurisë së lundrimit, imbarkimit të pasagjerëve si dhe shërbimeve të tjera. Udhëtimet turistike pilote të cilat synojnë prezantimin me zonën e peshkimit, ekosistemin detar dhe varietetet tipike të peshkut, demostrimin e teknikave të peshkimit, larmishmërinë e peshkimit dhe promovimin e konsumit të peshkut lokal, janë të organizuara sipas 3 itinerareve të ndryshme:

Itinerari 1: Anija e peshkimit “Matia”

Kohëzgjatja: 5-6 orë

Nisja nga: Porti i ri i Peshkimit

Datë: 30.10.2018

Ora: 08:00

Përshkrimi: Ky itinerar do të filloj në mëngjes, në orën 08:30, me imbarkimin e turistëve në bordin e anijes së peshkimit “Matia”, e cila është e ankoruar në Portin e ri të Peshkimit në Durrës. Anija Matia, ka një kapacitet prej 25 turistësh. Pas nisjes, administratori i saj dhe peshkatarët do t'u shpjegojnë turistëve në bord të gjitha rregullat e nevojshme të sigurisë. Turistët me ndihmën e peshkatarëve do të fillojnë udhëtimin e peshkimit deri në 3 milje detare larg nga vija bregdetare. Procesi i peshkimit do të zgjasë rreth tre orë, ku turistët do të njihen më nga afër me metodën e peshkimit me grepa pellagjik të mëdhenj (metoda me tërheqje). Peshku i kapur do të gatuhet në bordin e anijes, e cila është e pajisur me të gjitha pajisjet për gatimin me qëllim për t’i shërbyer turistëve në bordin e anijes.

Kthimi: në Portin e Peshkimit/qendrën e qytetit është parashikuar rreth orës 14:00.Për të diversifikuar më mirë udhëtimet e peshkimit, ky itinerar do të vazhdojë në orën 15:00 me një guide turistike në site të ndryshme arkeologjike, si: Amfiteatri Romak, Muzeu Arkeologjik, Muret rrethuese të Durrësit, Tregu Bizantin, Kulla Veneciane, Shtëpia Muze "Aleksandër Moisiu" etj.

Itinerari 2: Anija e peshkimit “Lutfi Leka”

Kohëzgjatja: 5-6 orë

Nisja nga: Bashkia Durrës për te Kepi i Rodonit

Datë: 31.10.2018

Ora: 09:00

Përshkrimi:Ky itinerar është projektuar nga toka dhe nga deti, për të diversifikuar më mirë vizitën studimore, duke udhëtuar drejtpërdrejtë me autobusin e ofruar nga operatorët turistikë, nga qendra e qytetit për në Kepin e Rodonit. Menjëhere, mbas imbarkimit në anijen e peshkimit “L. Leka”, e cila ka një kapacitet prej 20 turistësh, administratori i anijes dhe peshkatarët do t'u sqarojnë turistëve të gjitha rregullat e nevojshme të sigurisë. Vizita studimore do të bëhet në vendin e kultivimit të molusqeve (Mytilus Galloprovinciallis), ku turistët mund të vëzhgojnë nga afër metodën e kultivimit të molusqeve, të zgjedhin dhe të mbledhin molusqet për gatim ose t’i konsumojnë ato crudo (të gjalla), mund të ushtrojnë peshkimin me grepa nga bordi i anijes në zonën rreth bimësisë ujore të molusqeve, e cila është e pasur me peshq dhe fruta deti (kryesisht karkaleca). Kjo anije mund të ofrojë mundësinë për të gatuar direkt në bordin e saj të gjitha llojet e produkteve të peshkut dhe molusqeve të mbledhura nga turistët. Produktet e peshkut do të gatohen si barbeque dhe/ose mund të hahen të gjallë me lëng limoni. Deri në fund të ditës së peshkimit, pas shijimit dhe testimit të produkteve të peshkut dhe molusqeve të mbledhura direkt në anijen e peshkimit, turistët do të shoqërohen për të vizituar Kishën e Vjetër të Shën Ndoit dhe Kështjellën e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, ku ata mund të shijojnë peisazhin e mrekullueshëm të zonës dhe/ose për të shijuar gastronominë tradicionale në restorantet e peshkut aty pranë.

Kthimi: Transporti nga Kepi i Rodonit për në qendrën e qytetit, do të bëhet me autobus lokal të operatorëve turistikë që operojnë në qytetin e Durrësit, rreth orës 18:00.

Itinerari 3: Peshkimi selektiv nga varka artizanale “Mirdita”

Kohëzgjatja: 5-6 orë

Nisja nga: Bashkia Durrës për te Gjiri i Lalzit

Datë: 31.10.2018

Ora:09:00

Përshkrimi: Gjithashtu, edhe ky itinerar është projektuar nga toka dhe nga deti, në mënyrë që të diversifikojë më mirë vizitën studimore, duke udhëtuar direkt me autobusin e ofruar nga operatorët turistikë nga qendra e qytetit për në Gjirin e Lalzit  (Kompleksi Lura 1). Mbas imbarkimit në varkën e peshkimit, e cila ka një kapacitet prej 4 turistësh, gjatë udhëtimit turistët mund të vëzhgojnë peisazhin e zonës. Gjithashtu, ata mund të vëzhgojnë ose të testojnë më nga afër metodat e peshkimit me rrjeta apo me grepa, dhe në mesditë do të kthehen në Gjirin e Lalzit për të gatuar produktet e peshkut të kapura gjate udhëtimit. Peshkatarët e anijeve të peshkimit që do të ofrojnë këtë shërbim do të improvizojnë gatimin në një zonë të hapur tek Gjiri i Lalzit (në formën e barbeque). Gjithashtu, sipas preferencave të tyre, turistët mund të shijojnë pjatat e ofruara nga restorantet e zonës.

Kthimi: Transporti nga Gjiri i Lalzit për në qendrën e qytetit, do të bëhet me autobus lokal të operatorëve turistikë që operojnë në qytetin e Durrësit, rreth orës 16:00.

Gjithashtu, me qëllim realizimin me sukses të udhëtimeve pilote, do të përzgjidhen disa hotele apo njësi akomoduese turistike për të marrë pjesë në promovimin e itinerarëve të study visits (vizitave studimore): nëpërmjet diversifikimit të ofertës turistike dhe shërbimeve të reja për klientët, duke ofruar kështu edhe mundësinë për të bërë rezervime për klientët e tyre gjatë udhëtimeve turistike që do të zhvillohen jo vetëm përgjatë muajit tetor 2018, por edhe në të ardhmen.

Të gjithë të interesuarit mund të rezervojnë online një nga itineraret e regjistruara në portalin crowdsourcing: http://www.fishingtourism.net/index.php.

Më shumë informacion mbi këtë nismë/Projekt mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit: https://tourismed.interreg-med.eu/, në llogarinë e Projektit në facebook:

https://www.facebook.com/tourismed.interregmed/