Zbardhet padia e depozituar te Krimet e Rënda ndaj kryeprokurores Arta Marku, nga ana e ish-kryeprokurorit të Elbasanit, Dritan Gina. Gina kërkon pezullimin nga detyra të Kryeprokurores Arta Marku dhe urdhërimin e kryerjes së ekspertizës psikiatriko-ligjore.

“Gjithsesi, duke vleresuar se ndërmarrja e veprimeve të tilla me dashje direkte dhe në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit dhe me veprime kaq të hapura urdhrash politike, hakmarrëse dhe shantazhuese në dëm, jo vetëm të funksionarëve të shtetit të emëruar në detyrë në mënyrë të ligjshme, por edhe në dëm të vetë interesave të ligjshme të shtetit, nuk mund të kryhen nga ana e një personi të përgjegjshëm, kërkojmë që, në përputhje me përcaktimet e nenit 44 te K.Pr.Penale, pas regjistrimit të këtij kallëzimi, nga ana e Prokurorëve të çështjes të urdhërohet kryerja e një ekspertimi psikiatriko-ligjor, me qëllim për të verifikuar gjendjen mendore të të kallzuarës”, shkruhet ndër të tjera në kallëzimin e Ginës.

Përpos tij, kallëzim ka bërë edhe gruaja e Ginës, Rovena Gashi po ashtu e shkarkuar nga detyra si drejtuese e Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Gashi e depozitoi kallëzimin dje, ndërsa bashkëshorti i saj sot në mëngjes. Çifti Gina-Gashi ishin emëruar në pozicionet e mëparshme nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe njiheshin si krahu i djathtë i tij, por pas ardhjes së Marku janë shkarkuar.