Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Olsian Çela, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Trupa Gjykuese e cila do të japë vlerësimin për Prokurorin Çela përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici. Çela do të përballet me Vetingun për tre kriteret klasike të verifikimit, si ligjshmëria e pasurisë dhe kriterin etik dhe atë profesional.

Olsian Çela është gjithashtu një nga kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, dhe i vetmi që ende nuk i ishte nënshtruar procesit, duke mbajtur peng kështu garën për postin e prokurorit të përgjithshëm.

Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa e ka drejtuar atë në vitet 2008-2012. Sa i takon vlerësimit të pasurisë, referuar përgjigjes së ILDKPI-së, Komisioni i Kualifikimit deklaron se prokurori Çela ka bërë deklarim të saktë dhe nuk ka fshehur pasurinë.

"Olsian Çela ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk është në situatën e konliktit të interesit. Nga subjekti nuk janë konstatuar parregullsi"– vlerëson KPK.