Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen e ‘lobimit rus’ ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD.

Dy javë më parë, gjyqtari Lazër Sallaku vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj kryedemokratit për “falsifikim dokumentesh” në lidhje me lobimin e kryer nga PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet kompanisë “Biniata Trade”.

Prokuroria kishte marrë si të pandehur kreun e PD, Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristani dhe financierin Ilir Dervishi për akuzën e  “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” pasi pretendonte se kishte mospërputhje në deklarimet e shpenzimeve financiare të PD.

Dyshimet e prokurorisë ishin mbi dy pagesa rreth 650 mijë euro të bëra në SHBA në vitin 2017 nga PD nëpërmjet “Biniata Trade” për të lobuar në SHBA.

Prokurorët e çështjes patën qëndrime të ndryshme për mbarëvajtjen e hetimeve pasi dy prej tyre Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha kërkuan kalimin e dosjes në gjykim për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa prokurori Kolë Hysenaj, kthimin e dosjes për plotësim hetimesh.

Avokatët e Bashës dhe zyrtarëve të PD kërkuan pushimin e çështjes dhe kjo u pranua nga Gjykata me arsyetimin se nuk kishte prova për kryerjen e një vepre penale nga të akuzuarit.

Pas këtij vendimi, përfaqësues të PS, Taulant Balla dhe Erion Braçe thanë se vendimi i gjykatës nuk ishte i drejtë dhe e akuzuan atë si të kapur nga kreu i opozitës. Balla gjithashtu paraqiti prova që sipas tij tregonin përfshirjen e Bashës në veprën penale të pastrimit të parave kërkoi apelim të saj dhe kalimin për shqyrtim në SPAK.

Sot Prokuroria ka vendosur të mos pajtohet me vendimin e Gjykatës së Tiranës dhe ta apelojë çështjen. Ajo që mbetet për tu parë është nëse prokuroria do të mbështesë kërkesat e prokurorëve Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj, të cilët kanë kërkuar rikthimin e akteve për rihetim si dhe marrjen në pyetje të dëshmitarit kyç të çështjes, Nik Muzzin. Ky i fundit ka kërkuar garanci që nuk do t’i ngruhen akuza penale në rast se dëshmon.