Një pronar varkash në plazh të Durrësit ka rënë në prangat e policisë, pasi i ka vjedhur çantën me vlera monetare dhe celularë disa shtetasve kosovarë.

Specialistët për Krimet arrestuan në flagrancë Andi Sulon, 23 vjeç, banues në Durrës.

Të dielën më datë 03.09.2017,  në lagjen nr.13, Plazh, Sulo u kap në flagrancë nga Shërbimet e Policisë duke i vjedhur çantën disa shtetasve kosovarë. Sipas policisë, në çantën që ai vodhi kishte 200 €, 5 telefona celularë dhe sende personale. Ato i përkisnin kosovarëve, të cilët ishin një grup ansambli që kishin ardhur me pushime në Durrës.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera u dokumentua se 23-vjeçari, po ditën e djeshme është përfshirë edhe në një sherr. Për motive të dobëta, ai ka goditur me grushta shtetasin B.L. 25 vjeç, banues në Kosovë.

Ndaj tij rëndojnë dy akuza: “Dëmtime të tjera me dashje”dhe “Vjedhja”.