Banorët e “Astirit” vijojnë të protestojnë për të mbrojtur shtëpitë  e tyre dhe kundër zhvillimit të projektit për Unazën e Re, duke bllokuar sërish rrugën. Ditën e djeshme, PD akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm se kanë urdhëruar policinë të ushtrojë presion ndaj qytetarëve. Në protestën e sotme, shihet një shtim i numrit të forcave të policisë, të cilët po përpiqen të pengojnë banorët që të zënë rrugën.

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili ka qenë i pranishëm në çdo protestë të banorëve të “Astirit”, e cilësoi si provokim të kryeministrit Ram “blindimin” e Unazës së Re nga policia.

“Do vazhdojë protesta normalisht, kjo është një turp i shëmtuar, prej një banditi ordiner, është arkitekt i kanabizimit të vendit, ka lidhje me të gjithë bandat në të gjithë vendin. Ky bandit tregon se është i biri i të atit një komunist i ndyrë. Ne jemi këtu përditë, ka kohë policia e shtetit që të vijë çdo ditë, këtu do jemi prap nesër, pasnesër. Nëse do të vijnë çdo ditë me ne janë të mirëpritur. Nuk i dihet sa do të zgjasë. Leje për trotuar s’i marr kujt, për protestën kemi marrë leje. Po mundohet që të shkatërrojë protestën Rama. Kjo protestë është kauzë kombëtare. Veliaj bllokoi rrugën për vrap, ne për protestë. jam krenar që ndodhem mes heronjve.

I garantoj këta policë se do të mbajnë përgjegjësi. I përshëndes banorët që nuk pranuan gjakderdhjen. I përshëndes për vendimin e tyre stoik që nuk bien pre e provokimeve të Ramës për gjakderdhje. Turp për ata që sot nuk i dalin në mbështetje këtyre qytetarëve. Policët i keni me armë atje, nuk janë për të shëruar sëmundje, kanë gaz lotsjellës, janë me shkopa gome se kërkojnë gjakderdhje“, tha Balliu.