Pas protestës së 24 familjeve, banorë të një pallati në zonën e Shkozetit, i cili u shemb me eksploziv më 8 dhjetor 2019, pasi ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti, ka reaguar bashkia e Durrësit. Reagimi i bashkisë është bërë mbrëmjen e sotme, disa orë pas protestës së banorëve të pallatit nr.458.

Përmes një njoftimi për shtyp, Bashkia e qytetit bregdetar “sqaron se të gjithë aplikantët për bonus qeraje, ish-banorë të pallatit nr.458 të ndodhur në Shkozet dhe që është është shembur, i janë dërguar për subvencionimin e qerasë Drejtorisë Ekonomike të kësaj Bashkie për zbatim.”

Sipas bashkisë, bëhej fjalë për një gabim gjatë hedhjes në kompjuter të të dhënave, pasi edhe pse pallati  tyre ishte shembur ai vazhdonte të rezultonte i banueshëm në të dhënat e institucionit të pushtetit vendor.

Bashkia konfirmon se banorët e këtij pallati do të përfitojnë edhe qiranë e muajit dhjetor, në momentin që do t’u akordohet subvencionimi i qirasë.

Gjatë protestës të bërë paraditen e sotme, banorët të revoltuar u shprehën se kjo është një vrasje e dytë për ta, pasi hera e parë ishte kur ju mbeti nën rrënoja djersa dhe puna e një jete të tërë, ndërsa tani kanë mbetur të pastrehë, apo në shtëpi me qira.