Policia e Tiranës ka arrestuar 7 persona pas protestës së opozitës pasditen e së hënës. Në kuadër të këtyre hetimeve janë proceduar në gjendje të lirë edhe disa persona të tjerë.

Të arrestuarit akuzohen për shkatërrim të pronës publike dhe goditje për shkak të detyrës ndaj efektivëve. Të proceduarit penalisht dhe të arrestuarit u identifikuan pas analizimit të pamjeve të sigurisë nga grupi hetimor i Policisë së Tiranës.

Protestuesit hodhën kapsolla përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilat konsiderohen të ndaluara. Nga hedhja e këtyre kapsollave, mbeti i lënduar një efektiv policie, i cili u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Protesta marshim e opozitës zgjati rreth 3 orë dhe u kërkua largimi i Kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. Tubimi nisi përpara Kryeministrisë ku u hodhën tymuese dhe lëndë pirroteknike.

Më pas marshimi vazhdoi drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe ndalesa e radhës ishte godina e Parlamentit, ku protestuesit hoqën barrierat metalike në perimetrin e jashtëm të godinës së Kuvendit.