Hidhen tymuese e molotov tek parlamenti ku ka nisur protesta e thirrur nga opozita. Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ndërkohë që kanë mbërritur edhe deputetët e maxhorancës.

Ndonëse nuk ka tel me gjemba, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.

Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00. Megjithëse është një protestë e paparalajmëruar dhe pa marrë leje Policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për mbarëvajtjen e saj dhe sigurinë e institucionit të parlamentit.

Plani i masave të zbatuar është i ngjashëm me protestat e mëparshme të opozitës por vërehet një numër më i vogël policësh. Është formuar një kordon me punonjës rendi përgjatë gjithë rrethimit ku vërehet se të gjithë janë të pajisur me maska kundër gazit. Po kështu vërehet se mungojnë policët femra. Në vijë të dytë janë pozicionuar forcat “Shqiponja” ndërsa pranë godinës së parlamentit është vendosur Garda e Republikës. Në rrethimin e xhamisë së Namazgjasë janë pozicionuar FNSH-të, zjarrfikëset dhe autoambulancat. Në godinat e larta pranë parlamentit janë forcat RENEA.

Kjo është protesta e tretë brenda muajit shkurt e opozitës së bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një qeveri tranzitore që do i sigurojë vendit zgjedhje të lira e të ndershme. Të gjithë deputetët e opozitës u dorëhoqën nga mandati i tyre në shenjë proteste kundër maxhorancës dhe duke e konsideruar një masë drastike në situatë drastike.