Policia e Shtetit i ka bërë thirrje mbrëmjen e sotme studentëve të përfshirë në protestë që të reflektojnë.

Deklarata e policisë e mbrëmjes së sotme i këshillon studentët që të mos përfshihen në protesta, sepse do të kenë rekorde policore që në nisje të karrierës së tyre.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Persona të caktuar kanë tentuar të pengojnë në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme veprimtarinë normale mësimore në disa universitete të vendit, duke penguar dhe mohuar të drejtën e studentëve për të studiuar. 

Në të njëjtën kohë, këta persona që kanë tentuar të cënojnë procesin mësimor, kanë konsumuar kundërvajtje administrative dhe vepra penale për të cilat do të mbajnë përgjegjësitë përkatëse. 

Policia e Shtetit u bën thirrje studentëve, që tentojnë të përfshihen, pa u thelluar, në veprimtari të paligjshme, të veprojnë me maturi e përgjegjësi dhe të evitojnë ngarkesën me barrë shkeljesh ligjore dhe rekordesh policore që në hapat e parë të karrierës profesionale, barrë e cila mund t’u kushtojë shumë në të ardhmen e tyre profesionale.