Studentët në rrethe kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme. Ndërkohë që studentët e Durrësit janë nisur drejt kryeqytetit për t'u mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ata të Korçës janë mbledhur përsëri dhe marshuan drejt bulevardit “Republika”, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen kauzës së tyre. Studentëve të Korçës u janë bashkuar edhe gjimnazistët.

Ndërkohë, policia ka nisur një hetim për organizatorët e tubimit të së martës në aksin Korçë – Pogradec, ku u bllokua qarkullimi i mjeteve.

Edhe në Gjirokastër, studentët kanë dalë në protestë dhe janë mbledhur përpara universitetit “Eqrem Çabej”. Ata vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Protesta e studentëve në të gjithë Shqipërinë vijon prej më shumë se një jave, të cilët kanë parashtruar një listë me 8 kërkesa për të cilat kërkojnë zbatim dhe jo dialog. 

Një ditë më parë skadoi afati i vendosur nga studentët për plotësimin e kërkesave nga qeveria. Ndërkohë, gjatë natës, një pjesë e studentëve qëndruan para Kryeministrisë, ku ndezën edhe një zjarr, sikurse bënë edhe një grup më i vogël të “Zogu i Zi” darkën vonë.