Policia Bashkiake e Durrësit ka reaguar menjëherë brenda ditës, pas protestës që zhvilluan tregtarët e tregut industrial që ndodhet pranë Kryqit të Kuq në qytet.

Policia Bashkiake mori masa të menjëhershme duke dërguar zëvendësshefin e Policisë Bashkiake shoqëruar me inspektorët e institucionit në fjalë, për të larguar shitësit ambulantë nga rruga, të cilët ishin pa leje. Gjithashtu, përveç largimit, ata janë ndëshkuar dhe me marrjen e një gjobe.

Mëngjesin e kësaj të enjteje, tregtarët e rrobave të përdorura u ndalën në një protestë para Bashkisë, për të përcjellë ankesën e tyre, me pretendimin se në disa rrugica, kane dalë tregtarë ambulantë për të shitur rroba të përdorura. Sipas tyre, ata nuk paguajnë taksa dhe po kryejnë kështu konkurrencë të paligjshme e të pandershme.

Pas kërkesës së tyre për ndërhyrjen e mekanizmave bashkiake, gjendja aktualisht paraqitet e normalizuar.

Më poshtë mund të shihni pamjet që “DurrësLajm” sjell gjatë ndërhyrjes së forcave bashkiake.

S.L.