Me 26 maj opozita do të protestojë në Tiranë kundër qeverisë aktuale çka ka bërë që Policia e Shtetit të ndërmarrë një sërë masash.

Policia njofton se do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore, ndërsa ndër të tjera informon se nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT PARA TUBIMIT

Policia e Shtetit për tubimin e subjektit politik Partia Demokratike, parashikuar të zhvillohet në datë 26 Maj 2018, ora 11:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të bllokojë qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të brendshme të Tiranës.

Duke filluar nga ora 00:00 e datës 26 maj, deri në përfundimin e tubimit nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugët:

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “Bajram Curri” deri tek kryqezimi i rrugës “Abdyl Frashëri” dhe anasjelltas;

– Rruga “Ismail Qemali” nga degëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II” deri tek Bulevardi “Deshmorët e Kombit” do të jetë e bllokuar;

– Rruga “ Papa Gjon Pali II” nga degëzimi me Bulevardin “Bajram Curri”, deri tek degëzimi i rrugës “Themistokli Germenji” dhe anasjelltas, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës;

Duke filluar nga ora 07:00 e datës 26 maj deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha kategorive nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të rrugës “Abdi Toptani”.

Devijimet do të prekin edhe linjat e transportit publik, ku linja e “Tiranës së Re” do të kthehet tek sheshi “Willson”, linja e Kamzës do të kthehet tek sheshi para ish-Kafe “Florës”, linja e Saukut do të kthehet tek rruga “28 Nëntori” pranë Sahatit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e operatorëve të transportit publik qytetas, që ditën e shtunë deri në përfundim të protestës, të mos përdoren mjetet e transportit artikular, për shkak të devijimeve dhe bllokimeve që do të bëhen për arsye sigurie.

Të shtunën, nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës brenda Unazës së Madhe dhe rrugëve të tjera të brendshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të të gjitha kategorive.

Mjetet e transportit të pasagjerëve që do të vijnë nga qytetet e tjera nuk do të lejohen në brendësi të Tiranës, përveç vendeve të miratuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që janë:

– Pallati i sportit “Asllan Rusi”, në rrugën “Dritan Hoxha”;
– Pallati me shigjeta në rrugën “Konferenca e Pezës”;
– Rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik në rrugën e “Elbasanit”;
– Ura e Brrylit në “Bulevardin Zhan D’Ark”.

Mjetet e transportit që vijnë nga rrethet pasi të zbresin qytetarët në vendet e caktuara sipas Planit të Masave, do të kthehen dhe vendosen:

– Mjetet që vijnë nga rreth-rrotullimi i “Fakultetit Ekonomik” do të vendosen në rrugën “Shahin Toci” pranë Terminalit të Jug-Lindjes;
– Mjetet që vijnë nga sheshi “Shqiponja” do të vendosen në rrugën “Teodor Keko”;
– Mjetet që vijnë nga Pallati me shigjeta në rrugën “Teodor Keko”;
– Mjetet që vijnë nga pjesa lindore e qytetit, do të sistemohen përballë Maternitetit të Ri.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin për largimin e mjeteve të parkuara në rrugët e sipërpërmendura, në të kundërt do të spostohen me mjete ngritëse.

Gjithashtu luten qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjeteve ditën e nesërme, sidomos në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, për shkak të devijimeve dhe kufizimeve, deri në përfundim të tubimit.

Plani i masave për sigurinë e tubimit u hartua me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, që asistojnë Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, veprimtaria e Policisë së Shtetit, në ditën e tubimit, do të asistohet dhe monitorohet edhe nga ekspertë të huaj, të atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Policia e Shtetit, njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për të manifestuar dhe si gjithmonë mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit dhe u bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore. Në të njëjtën kohë, nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.