Maturantët kanë kaluar tashmë gjysmën e fazës së konsultimeve për provimet e Maturës Shtetërore, por të zhvilluara në kushte strikte për shkak të masave higjieno-sanitare të marra kundër pandemisë. Ndërkohë që kanë mbetur ende dhe 7 ditë kalendarike përsëritje për lëndët kryesore të cilat do t’i nënshtrohen provimeve me detyrim apo me zgjedhje, ankthi i maturantëve afrohet me kalimin e ditëve se si do të rezultojnë në këtë sezon të pazakontë provimesh.

Por si ka vijuar procesi mësimor përgjatë kësaj periudhe në gjimnazin “Naim Frashëri”, një nga shkollat e mesme të përgjithshme me numrin më të madh të maturantëve në Durrës?

Drejtori i “Naim Frashërit”, Ilir Paja, thotë në një intervistë për “DurrësLajm” se falë zbatimit të të gjitha masave që nisin me kontrollet rutinë prej orës 07:30 dhe përkushtimit të të gjithë stafit mësimor, deri më tani ka pasur një mbarëvajtje të procesit mësimor në këtë gjimnaz, ku matura shtetërore që nga viti 2005 dhe në vazhdim renditet për nga rezultatet në dhjetë shkollat më të mira të Republikës.

“Çdo mëngjes në shkollë, proces që nis në orën 7.30 janë dy punonjëse të shëndetësisë (mjeke). Kontrollojmë ambientet së bashku me nëndrejtoreshën dhe me dy mësuese nisim matjen e temperaturës si të stafit mësimor dhe maturantëve, të cilët reshtohen mbi vijëzimet me rrathë në oborr duke ruajtur distancën e përcaktuar. I gjithë ky proces vëzhgohet nga oficeri i sigurisë në prani dhe të psikologes.

Me ZVA dhe DAP, veçanërisht me ZVA-në e Durrësit, komunikimet janë të vazhdueshme duke qenë në një përditësim si urdhëresash, sugjerime dhe komunikime gjatë gjithë kohës online. Këtu duhen përmendur dhe takimet, mbledhje të cilat janë të shpeshta brenda javës”.

Profesor Paja tregon më tej, se duke qenë dhe baba i një vajze maturante, është më afër shqetësimit dhe dilemave të bashkëmoshatarëve të saj, sa i përket frikërave rreth provimeve të pjekurisë.

Ky vit nuk ka qenë i lehtë për ta, pasi kanë kaluar dy situata të vështira; tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë e Covid-19, ç’ka i ka detyruar të shkëputen jo pak kohë nga shkolla.

Unë jam vetë prind që kam vajzën maturante. Kështu shpresoj të jem sa më pranë shqetësimeve të tyre. Ky brez brenda një viti ka kaluar dhe “pësuar” dy tronditje të cilat nëse ndodhin një herë në shekull, unë do e cilësoja si tronditje shekullore. Por maturantët mësojnë. Kanë ego, vullnet dhe e ndjejnë se po bëhen pjesë e një sakrifice globale. Kuptohet janë mosha e shumë ëndrrave. Por tani janë më shumë realiteti i reales…”, shprehet Paja.

Po pritshmëritë e maturantëve si janë në lidhje me provimet? A kanë shprehur frikë apo dilema rreth tezave, të cilat do të jenë vetëm me alternativa?

Drejtori i gjimnazit, i cili njëkohësisht është dhe profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, pohon se maturantët kanë ndrojtje nga tezat.

“Nëse do i jepnim përgjigje pyetjes frikë apo dilemë, unë do thoja se frika është fryma që ia lindi dilemën. Gjithsesi nga procesi, orët si online dhe tani në shkollë shohim se qëllimi i të mësuarit është mënyra e vetme për t’u “trimëruar” dhe për ta fituar këtë gjendje psikologjike.

Dëgjojnë shumë, por janë mësueset që po punojnë më shumë duke ia larguar ndjesinë e kësaj pasigurie që në këtë situatë është e pashmangshme. Mendoj se hartuesit e tezave, stafi i Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të arsyetojë mbi të gjithë këtë situatë të pazakontë. Mos të harrojmë se tërmeti ishte një tronditje ndërsa COVID-19 është një histori e tillë”.

Për shkak të kushteve jo fort të favorshme, disa prej frikës për t’u paraqitur në ambientet e shkollës, apo disa të tjerë se mund të banojnë larg dhe nuk kanë pasur mundësi të vijnë prej mungesës së transportit, kanë preferuar të vazhdojnë të ndjekin mësimet online. Në gjimnazin “Naim Frashëri” janë 224 maturantë, ndërsa janë rikthyer gjatë këtyre dy javëve mbi 80 % e tyre.

“Nëse do merrnim një mesatare të përditshme ku mungojnë 30-35 maturantë çdo ditë, përqindja e pjesëmarrjes e kalon mbi 80 %. Kjo shpjegon se mësimi online i cili vazhdon me këta nxënës është i nevojshëm, por fakti i një pjesëmarrje të tillë tregon se komunikimi përballë mbetet vlerë e pazëvendësueshme njerëzore. Dhe pse ka distancim social, janë maskat, dorezat, dezifektantët etj, vetë prania jonë me nxënësit përballë është forca e vetme që mposht të gjitha ndalimet. Dhe kjo është mrekullia dije. Kur je para nxënësve nuk je thjesht një riprodhues informacionesh shkencore. Je krijuesi i tyre. Ata të shohin me besimin se ti ndryshon çdo ditë duke lënë pas të djeshmen për ta bërë të nesërmen të re…”, përfundon Ilir Paja.

S.L.