Në ambientet e sallës së Këshillit Bashkiak u zhvillua paraditen e kësaj të mërkure dëgjesa publike me grupet e interesit dhe pjesë të shoqërisë civile për Draft Planin e Përgjithshëm Vendor të Durrësit dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor të tij.

“Në prezantim morën pjesë dhe përfaqësues të Autoritetit Portual Durres për të sqaruar mbi projektin në zhvillim të portit të Durrësit dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit”,- njofton bashkia.

Megjithëse ishte një dëgjesë publike, mediet nuk u lejuan të ishin të pranishme dhe “DurrësLajm”-it ju komunikua në rrugë zyrtare se aktiviteti do të zhvillohej pa praninë e medieve, sepse ishte një diskutim teknik.

Pas publikimit në faqen zyrtare vetëm 12 orë para zhvillimit të dëgjesës publike, bashkia Durrës i mohon medies edhe të drejtën e informimit të qytetarëve mbi projektet zhvillimore me ndikim të drejtpërdrejtë në qytet, për më tepër kur bëhet fjalë për projektin e portit, ku kompania arabe EMAAR ka deklaruar se do të investojë 2 miliardë euro.

Pasi e ka bërë rrugë që mbledhjet e Këshillit Bashkiak të zhvillohen në mungesë të plotë transparence, (pasi me justifikimin e situatës së pandemisë mbledhjet e tij zhvillohen vetëm online), bashkia “zgjedh” të përjashtojë mediet nga një dëgjesë publike.

“Të pranishmit janë njohur si dhe kanë zhvilluar diskutime rreth këtij plani të përgjithshëm vendor.”– thuhet ndër të tjera në njoftimin e publikuar në faqen e bashkisë.

Mesa kuptohet, vetëm një grup i vogël njerëzish, të përzgjedhur nga vetë bashkia, kishin të drejtën të informoheshin dhe diskutonin mbi detajet e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe për më tepër projektit për portin më të madh në vend.  

Në një kohë, kur nga qeverisja qendrore kanë vërshuar në Durrës projekte të larmishme me video 3D, për të cilat jepen shumë pak detaje mbi kostot, afatet e përfundimit, studimet e zhvilluara mbi impaktin që do të kenë në ekonomi dhe jetën e qytetit, bashkia e qytetit bregdetar zgjedh të mbajë në errësirë të plotë qytetarët, të cilët do të jenë përfituesit apo ata që do të vuajnë drejtpërdrejt pasojat e projekteve që propagandohen se do ta transformojnë Durrësin.

Diskutimi i planeve vendore apo projekte në grupe të vogla, ekspertësh apo jo, me një urgjencë të çuditshme dhe fare pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme lë një shije të hidhur.

Vendimi që mori Rama në mbledhjen e KKT, në muajin tetor 2020

Në mbledhjen e datës 14 tetor 2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit u miratua Plani Kombëtar Sektorial i Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale.

Në vendimin e marrë në mbledhje, i cili është firmosur nga kryeministri Edi Rama, ministrja e MIE-së, Belinda Balluku dhe anëtarja e KKT-së, Ledia Tota, thuhet se është urdhëruar 

“Autoriteti Portual Durrës që brenda muajit nëntor 2020 të marrë masat për:

Hartimin e planit të ri të përdorimit dhe administrimit të tokës (masterplan);

Hartimin e dokumenteve tekniko-ligjore që do të orientojnë Autoritetin Portual për zhvillimin e operacioneve portuale, shërbimeve dhe investimeve në insfrastrukturën detare dhe tokësore të terminaleve përkatëse, në përputhje me zonat e përcaktuara në Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale;

Për përgatitjen e praktikës tekniko-ligjore për miratimin e masterplanit në përputhje me përcaktimet e legjislacionit sektorial.”

Por krahas Autoritetit Portual Durrës, në mbledhjen e datës 14 tetor ngarkohej edhe bashkia Durrës që pasi të miratohej masterplani i portit ai të integrohej me planin e përgjithshëm vendor.

Pikërisht një integrim të tillë diskutoi sot bashkia Durrës vetëm me një grup të vogël ekspertësh dhe pa praninë e medieve.

Megjithëse Draft Plani i Përgjithshëm Vendor është prezantuar që në vitin 2016 me dëgjesa të mirëfillta publike me praninë e qindra ekspertëve të fushave të ndryshme dhe qytetarëve të interesuar, ai deri më tani nuk është miratuar. Dëgjesa e sotme publike mos është hapi i parë i ndjekjes së procedurave ligjore para paraqitjes së tij për miratimin në Këshillin Bashkiak një ngjyrësh pikërisht në këtë periudhë kur e gjithë vëmendja është e fokusuar tek zgjedhjet e 25 prillit?!

M.B.