Disa adoleshentë janë konfliktuar mes tyre duke sjellë panik në zonën e Shijakut. Ngjarja ka ndodhur para disa ditësh në fshatin Pjezë, Shijak, ndërsa të premten është bërë i mundur ndalimi i adoleshëntëve nga policia.

Sipas Policisë, shtetasit J. Gj., 21 vjeç dhe E. B., 22 vjeç, banues në Pjezë, Shijak, kanosën me armë zjarri 4 shtetas, banorë të fshatit Hardhishtë që ndodhet në fshatin pranë tyre.

4 banorët e Hardhishtës ishin duke konsumuar drekë në një prej lokaleve në zonën e Gjepalajt, kur janë përplasur verbalisht me J. Gj., dhe E. B. Këta të fundit janë nxehur dhe kanë nxjerrë armët e zjarrit që kishin me vete duke qëlluar në ajër.

Pse shikoni? Do t’ju vrasim!”– mësohet të kenë bërtitur ata duke kërcënuar katër personat e tjerë. Të tjerët ishin larguar me vrap nga lokali. Ndërkohë mësohet se zanafilla e këtij sherri e ka pasur nga shikimet. Në drekën me birra, të rinjtë që nxorrën armët janë shqetësuar nga shikimet e katër personave të tjerë, të cilët sapo kishin ardhur nga Italia.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shijakut zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas në ambientet e një lokali. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2019, identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas.

Janë ndaluar shtetasit J. Gj., 21 vjeç dhe E. B., 22 vjeç, banues në Pjezë, Shijak. Shtetasit e ndaluar, më datë 13.08.2019, në një lokal në Gjepalaj pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasit E. A., 22 vjeç, A. R., 21 vjeç, V. S., 20 vjeç, J. T., 22 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak, i kanë kanosur dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja model 56. /Dosja.al