Zaida Çobo, e ëma e djalit të mitur i cili u dhunua disa ditë më parë nga policia në zonën e Liqenit Artificial në Tiiranë ka paditur në Gjykatën e Tiranës, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliun.

Pala paditëse ka kërkuar shpërblim për dëmin e shkaktuar nga Veliu nga cënimi i nderit dhe i dinjitetit në publik pas publikimit të të dhënave personale të Zaida Çobos. Dëmshpërblimi i kërkuar është një milion lekë.

Kreu i Policisë Shtetit, gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, tregoi një video  Çobos, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, e cila mbante një pistoletë në dorë.

“Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë”, tha Veliu pak ditë më parë.

Videoja në fjalë ishte pjesë e xhirimeve të një filmi dhe më pas Veliu deklaroi se fjala e tij ishte nxjerrë nga konteksti.