Punimet për shëtitoren e re në Durrës ngjallin pakënaqësi te qytetarët

25/02/2020 - 21:33

Gëzim Çela bënte një ecje të përditshme buzë detit në Durrës, deri atëherë kur në shëtitoren bregdetare të qytetit filluan punimet e rikonstruksionit.

“Ka më shumë se 20 vjet, që e nis nga pallati ku banoj dhe shkoj deri në Currila” – thotë ai, ndërsa shton se që prej gati një viti shëtitorja është bllokuar për shkak të punimeve që po kryhen me një projekt të bashkisë.

85-vjeçari prej kohësh i ka shprehur edhe në media shqetësimet e tij për hedhjen në det të inerteve dhe të mbeturinave, me të cilat u zgjeruan disa nga sheshet e bregdetit, ndërsa tani ka meraqe të tjera për projektin.

“Jam i bindur se po të kishin marrë edhe mendimin e qytetarëve që shëtisin këtu, do të shmangeshin disa gabime,” thotë Çela, duke renditur të parat prurjet e leshterikëve dhe gurëve që sjellin dallgët, që i kanë mbushur shumë shpejt shkallaret që sapo u ndërtuan.

“Deti nuk pyet për projektet e njerëzve. Natyra i pranon ato, vetëm kur bashkëjetojnë në harmoni,” shton i moshuari i shqetësuar për qytetin e tij.

Projekti i Shëtitores po realizohet me një investim prej 2.8 milion euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por parashikimi për përfundimin e punimeve i përket fundit të vitit 2020.

Firma ndërtuese deri tani ka kryer më shumë se gjysmën e punimeve, duke zëvendësuar murin me bedena me shkallë, që çojnë drejt ujit, si dhe duke betonuar sheshet pranë tyre.

Shoqata vendore e operatorëve turistikë e quan të vonuar këtë datë, e cila do të ndikojë ndjeshëm në rënien e mëtejshme të numrit të turistëve.

“Ky sezon turistik do të dëmtohet edhe më tej, pas problematikave të krijuara në zonën e plazhit nga shkatërrimet e tërmetit të 26 nëntorit të kaluar” – tha për BIRN kryetari i shoqatës, Eduart Xhepa.

Qytetarët të painformuar për projektin

Një grup grash shtëpiake që pijnë kafenë çdo mëngjes së bashku, diskutojnë shpesh herë për zonën pranë detit ku vazhdon puna. “Nuk e kam nxjerrë më nipin e vogël, prej makinerive dhe prej pluhurit,” thotë Kimetja, e cila banon shumë pranë detit. Ajo shton se nuk di asgjë për projektin që po zbatohet. “Deri tani duket vetëm pjesa e çimentos – shton ajo.

Njëra nga zonjat ka vërejtje për rrugët hyrëse në shëtitore, të cilat sipas saj janë shumë më të ngushta se sa ato të variantit që u prish.  “Qofsha e gabuar, por më duket se edhe pak gjelbërim do të ketë më pak se sa kishte,” i përgjigjet ajo pyetjes së BIRN.

Në tabelat e vendosura prej disa muajsh pranë kantierit ndërtimor që rrethon të gjithë territorin në krah të rrugës “Taulantia”, ka shumë pak të dhëna për projektin. Planimetria e shesheve është zëvëndësuar me pamje dixhitale, nga pamjet e të cilave nuk kuptohet thuajse asgjë.

Të dhënat e projektit mungojnë edhe në faqen e internetit të bashkisë, ndërsa dëgjesat publike, si detyrim ligjor, në këtë rast nuk janë kryer fare, ose të paktën nuk janë pasqyruar në faqen zyrtare të saj.

Pas interesimit në bashki, BIRN mësoi se në një sipërfaqe të përgjithshme prej 56,400 metra katrore që do të ketë shëtitorja e zgjeruar, 58 për qind po shtrohen pjesërisht me beton të ngjyrosur, me gur kubik, apo me beton të bardhë. Brenda kësaj sipërfaqeje është llogaritur edhe një parkim automjetesh me çakull Bioland, 6,470 metra katrore gjithsej.

Pjesa që mbetet, mbi 20,500 metra katrore i dedikohet gjelbërimit, ku është parashikuar  mbjellja e 490 pemëve të tipeve të ndryshme, si dhe 6,600 copë fidane e shkurre dekorative. Në dokumentin e ofruar nga bashkia, territori ku po realizohet projekti emërtohet Shëtitorja “Taulantia”.

Me të njejtin emër, Rruga “Taulantia”, në hartat e këtij institucioni si dhe në gjeoportal përcaktohet rruga e automjeteve nga Torra mesjetare deri në afërsi të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Njëlloj, Shëtitorja “Tulantia”, e quan edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke ngatërruar edhe më shumë qytetarët, të cilët ndeshen me dy infrastruktura të ndryshme, që kanë të njëjtin emër.

FSHZH  në një status në Facebook pak ditë më parë shprehet se: “Sheshi Taulantia është nyja e qytetit, ku bashkohen të gjitha rrugët e tij të brendshme”, duke shtuar se “kjo është një tjetër hapësirë urbane, 67,000 metër katrore në rikonstruksion të plotë nga Porti deri të Sfinksi”.

Në fakt, deri tani punimet kanë përfshirë vetëm gjysmën e gjatësisë së distancës së cituar nga FSHZH, çka i bën edhe më konfuzë të interesuarit për fatin e shëtitores 60-vjeçare.

Nga Parku arkeologjik te Shëtitorja, një histori 60-vjeçare

Fillimet e shëtitores i përkasin viteve 1960, kur një mur me gur të latuar u ngrit si kufi mes ujrave të detit dhe truallit tokësor përballë hotelit “Vollga”. Edhe lulishtja, ku mbrëmjeve shërbeheshin ushqime dhe ku luhej muzikë u njoh me të njejtin emër, “Vollga”.

Në të njejtën kohë, arkeologu Vangjel Toçi paraqiti projektin e Parkut të hapur Arkeologjik, i cili filloi të jetësohej me vendosjen e kolonave, kapiteleve dhe amforave në vendpushimet në mes të gjelbërimit. Objektet e mëdha arkeologjike u zhvendosën nga Muzeu pranë në Parkun e hapur, në sytë e mijëra qytetarëve dhe vizitorëve.

Edhe sot, disa nga këto të fundit kanë mbetur si shenja të lidhjes së shëtitores me trashëgiminë historike të qytetit 3-mijë-vjeçar.

Ndërhyrja e parë madhore në shëtitoren pranë detit i përket vitit 2005, kur projekti i bashkisë i dha konturet e sotme të gjithë hapësirës, ndërsa pak vite më vonë ajo u zgjat drejt veriperëndimit, deri në realizimin e sfinksit prej guri e betoni. Projekti që po zbatohet aktualisht është zgjeruar edhe në territorin ngjitur me murin perëndimor të portit.

Qytetarëve durrsakë që kanë opinione të ndryshme për shëtitoren i shtohet edhe mendimi i banorëve të rinj. Luigi de Rosa është arbëresh dhe prej vitesh banon në një nga pallatet pranë shëtitores. Sipas tij, hapësira buzë detit vitet e fundit është administruar në mënyrë të gabuar.

“Gjatë sezonit veror, të gjitha lodrat “Luna park” instaloheshin pikërisht aty ku ishte vendi i shëtitjes, duke vështirësuar lëvizjen e qindra njerëzve dhe duke shtuar zhurmat” – thotë de Rosa, sipas të cilit do të ishte më mirë që investimi afro 3-milionësh të përdorej për zgjatjen e shëtitores në drejtim të Currilave.

“Vlera e shëtitores do të rritej, nëse ajo do të zgjatej drejt plazhit të Kallmit,” thotë Gëzim Çela.

“Por, mesa duket kjo nuk bën pjesë në planet e afërta të bashkisë,” shprehet ai, duke shtuar:  “E rëndësishme është që punimet të përfundojnë sa më parë, që shëtitorja tu shërbejë qytetarëve”. /BIRN

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik në një dalje për mediat ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 47 person

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh të profesoreshës Adriana Babameto, e cila bën thi

Në vendin tonë moti sot do të jetë i alternuar nga kthjellime dhe vranësira të cilat do sjellin mot të kthjellët.

Situatë dramatike me mbeturinat urbane në zonën e ish-Kënetës, më saktësisht në rrugën “Gjelbërimi”.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme me mjete të komunikimit elektronik ku janë miratuar dy vendime

Prezenca e OSBE-së rrëzon projektin e opozitës parlamentare për ndryshim të Kushtetutës, ku kërkohet rishikimi i sistemin zgjedhor në ven

Gjatë muajve të pandemisë Covid-19, porti i Durrësit nuk e ka ndalur punën për asnjë moment, por efektet e krizës janë ndjerë, në sektorë

Temperaturat e larta dhe era e fortë në zonën e plazhit duket se kanë favorizuar një vatër zjarri pranë rrethrrotullimit tek Ura e Dajlan

Pas lajmit të dhënë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, se do të rritet numri i testeve të koronavirusit në vend ka reaguar

Këshilli Bashkiak Durrës do të miratojë pasditen e sotme një listë me 7 pallate 5-katëshe në rajonet nr.4 dhe nr.5, për të cilat Institut