Shtatori do të sjellë shi. Pas ditëve të nxehta përvëluese të gushtit dhe thatësirës në shumicën e vendit, java e parë e shtatorit vjen me reshje shiu dhe vranësira në gjithë vendin.

"Duke filluar që të dielën pasdite dhe të hënë, do të sjellë vranësira në territor sidomos në zonat malore ku priten rrebeshe afatshkurtre shiu. Në zonat malore parashikohet të kemi edhe stuhi ere, të shoqëruar edhe me stuhi breshëri. Kryesisht zona jugore dhe qendra do të kenë shira të hënën, të martën dhe të mërkurën",- thotë metereologia Adiola Bani.

Megjithatë, vapa nuk ikën  me gushtin. Metereologia Bani thotë se temperaturat e larta mbi 30 gradë do të vijojnë të jenë prezente.

"Kryesisht 10-ditëshi i parë i shtatorit do të jetë me vlera termike relativisht të larta krahasuar me muajin që hyjmë, sepse zyrtarisht hyjnë në vjeshtë. Temperatura do të luhatet nga 30-32 gradë celsius".

Sipas meteorologes, ky vit do të mbyllet me vlera më të larta të temperaturave sesa mesatarja e viteve të kaluara.