Zona turistike e vollgës, gjatë stinës së verës është tejet  e frekuentuar nga pushuesit edhe qytetarët e Durrësit.

Mbrëmjet në shëtitoren “Taulantia” gumëzhijnë nga njerëzit dhe muzika e lartë nga lokalet dhe  subjektet e vendosura me qëllim argëtimin e të rriturve dhe të vegjëlve.

Mirëpo kaq shumë gjallëri nga ana tjetër shkakton edhe ndotje akustike, e cila shqetëson ata që banojnë pikërisht në këtë zonë.

Pak ditë më parë, edhe vetë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ngriti problematikën e ndotjes akustike në zonat turistike.

Gjatë një takimi me Task Forcën në Himarë për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ministri Çuçi tha se një tjetër çështje që shqetëson pushuesit është niveli i lartë i zhurmës, jo vetëm në Himarë ku ai ishte i pranishëm, por dhe në të gjitha zonat e tjera bregdetare.

“Edhe gjatë ditës duhet bërë një lloj disiplinimi se është ndotje e tmerrshme akustike. Ka norma edhe gjatë ditës se sa duhet të jetë zhurma. Reagimi ndaj telefonatave të qytetarëve duhet të jetë i padiskutueshëm”, u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.