Nga samiti i Selanikut, ambasadori i SHBA-së në Greqi Geoffrey R. Pyatt, deklaroi se vendi i tij mendon se ishte gabim historik i Bashkimit Evropian mos hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Ne vlerësojmë se ishte gabim historik i Bashkimit Evropian të mos shkojë përpara me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Këtë deklaratë e dha ambasadori i SHBA-së, në Greqi Geoffrey Pyatt, gjatë kohës së panel diskutimit në Samitin e Selanikut.

Ai shtoi se asgjë nuk mundet të jetë më mirë për Selanikun, për Greqinë Veriore dhe për sigurinë e Greqisë, sesa stabilizimi i të gjithë fqinjëve.

“Duke folur për SHBA-në, mendojmë se është shumë e rëndësishme që procesi i hapjes së negociatave të kthehet sa më shpejt. Me padurim presim të bashkëpunojmë me qeverinë e Greqisë që kjo të ndodhë.Presim që të vazhdojmë të punojmë nga shumë afër, me qëllim që të ndihmojmë këto shtete t’i bëjnë reformat e rëndësishme, të cilat janë të rëndësishme për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe mos të humbin shpresa”, deklaroi Pajat.

Ndërkohë pala greke vlerëson faktin që tani është kthyer në faktor në Ballkanin Perëndimor, ndërsa do të punojë për futjen e tij në BE.