Qeveria shqiptare tërhiqet nga projekti i burgjeve private. Ministria e drejtësisë deklaron se ka hequr nga ligji konceptin e burgut privat pasi nuk gjeti zbatim. Parashikimi për burgjet private është bërë për herë të parë në vitin 2014, në nenin 12/1të ligjit “për Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, ku shkruhej se burgjet janë publike dhe private dhe funksionimi i tyre do të përcaktohen me Vendim qeverie.

Ky draft parashikonte për të lehtësuar popullin në burgje se të dënuarit për vepra të ndryshme penale me një marzh dënimi me maksimumi pesë vite mund të akomodoheshin në burgjet private.

Ndërsa të gjithë ata që me vendim gjykate do t’u caktohej një burg i sigurisë së lartë s’do mund të akomodoheshin dot në burgjet private.

Në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë dispozitat që lejonin burgjet private janë hequr dhe në ligjin e ri hyrë në fuqi në gusht 2020.

“Në ligjin e ri që u miratua në Kuvend dhe hyri në fuqi në Gusht 2020, këto dispozita u panë të arsyeshme të hiqen për shkak se që nga viti 2014 kur janë miratuar nuk ka pasur ndonjë interes për ndërtimin e burgjeve private. Duke parë edhe eksperiencën e vendeve të tjera ku ky sistem zbatohet (Britania dhe SHBA), kjo praktikë është drejt mbylljes së tyre’’ sqaroi për ReportTv ministria e drejtësisë.

Aktualisht Shqipëria ka 23 institucione penale, burgje dhe paraburgime mes tyre burgje të sigurisë së veçantë IEVP Peqin, Korçë, Elbasan, Fier.