Konsumatori shqiptar mbetet gjithmonë i diskriminuar nga kompanitë publike e entet shtetërore, pavarësisht se është edhe taksapagues i rregullt.

Qytetarët që iu drejtuan sot në mëngjes degës së Postës Shqiptare në Durrës, kanë mbetur pa marrë asnjë shërbim.

Shkak i mungesës së shërbimeve ishte mungesa e linjës së internetit, pa të cilin punonjëset nuk mund të bëjnë dot asgjë. Kësisoj, nuk mund të paguash asnjë faturë të dritave, ujit apo të taksave, shërbime këto që mbajnë në këmbë postën shqiptare.

Të gjithë klientët që nëpërmjet internetit të postës kanë edhe shërbimin e TV e të internetit në familje, janë zgjuar pa këtë shërbim mëngjesin e sotëm. Se çfarë ka ndodhur, askush nuk e di, por një gjë është e sigurt: Shërbimi ndërpritet sa e sa herë dhe kompanitë minimalisht nuk iu kërkojnë falje klientëve, e jo më pastaj të japin dëmshpërblim sipas kontratës për shërbimin e munguar.

Nëse një klient nuk paguan detyrimet në kohë, shërbimi i ndërpritet, ndërsa kompanitë në ditët e fundit të muajit e ulin shpejtësinë e mb-ve të internetit për t’i kujtuar klientëve se duhet të shkojnë të bëjnë pagesën e faturës mujore.

Por dhe për të  bërë pagesën nuk ka internet në postë, e për pasojë, klienti është ai që mban mbi kurriz të gjithë barrën e papërgjegjshmërisë së kompanive dhe enteve, e pa përfituar asnjë të drejtë si konsumator.

K.H.