Durrsakët janë shpresëkëputur në fillim të sezonit veror për t’i gjetur zgjidhje problemit më të madh që i shqetëson; mungesës së parkimeve.

Investime miliona euro janë kryer në zemër të qytetit bregdetar, në rrugët kryesore gjatë dy viteve të fundit. Por edhe këto investime nuk janë aspak efikase për qytetarët. Rrugët janë ngushtuar dhe janë hequr parkimet anash tyre.

Miliona euro janë investuar në dy rrugë; “Egnatia” (nga stacioni i trenit tek “Veliera”), dhe në rrugën “Aleksandër Goga” (nga Muzeu i Dëshmorëve deri tek sheshi “Liria”). Këto investime miliona euro rrezikojnë të shkaktojnë kolaps në trafikun rrugor gjatë sezonit veror që po afron.

Shoferë e qytetarë të Durrësit thonë se askush nuk ju mori mendim për ngushtimin e rrugëve në të cilat u hoqën edhe parkimet e nuk u ndërtuan korsi për biçikleta.

Bulevardi “Epidamn” ishte shembulli i parë i modelit që pasoi me ngushtimin e rrugëve për makinat dhe zgjerimin e trotuareve. Ky bulevard u shtrua me kalldrëm, por është dëmtuar dhe kërkon sërish investim serioz.

Ndërsa zgjidhje për trafikun e rënduar në Durrës nuk ka dhënë as investimi në projektin “Veliera”. Edhe këtu, trafiku rrugor është tejet i ngarkuar sapo ngrohet koha.

K.H.