Tridhjetë mjekë shqiptarë do të nisën për në Itali sot në ndihmë të kolegëve të tyre për të përballuar situatën e koronavirusit. Mësohet se mjekët do të zbarkojnë sot pasdite në Romë dhe do të nisen drejt Bergamos, një prej qyteteve më të prekura në Itali, i cili ka shënuar mijëra të vdekur.

Mësohet se dërgimi i personelit shëndetësor vjen pas një bisede telefonike mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit të jashtëm italian Luigi Di Maio, i cili ka filluar që të kërkojë ndihmë ndërkombëtare për përballimin e situatës në vend. Deri më tani, u është përgjigjur vetëm Kina dhe Rusia.

Mjekët shqiptarë do të qëndrojnë në Itali për një muaj dhe do të paguhen nga Shqipëria me një pagë të vendosur nga Rama. Shpërblimi i mjekëve dhe infermierëve, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të jetë në vlerën 3 000 (tre mijë) euro në muaj për mjekët dhe 2500 (dy mijë e pesëqind) euro në muaj për infermierët.

Sipas mediave vendase, kryeministri Rama u shpreh gjatë telefonatës se po dërgonte ndihmë pasi nuk mund ta shihte Italinë në vështirësi, pasi e duan.

“Mjekët po na kursejnë jetë njerëzish dhe tani ne si vend po rizbulojmë vlerën më të rëndësishme që është jeta,”– është përgjigjur Di Maio, i cili do të shkojë vetë në aeroport për të mirëpritur ekipin shqiptar.