Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pasi në një deklaratë për mediat eksperti i Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazment Koduzi e konsideroi Spitalin Covid-4 një mashtrim të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij për prapagandë.

Ministria thotë se spitalet Covid-3 dhe Covid-4 janë tërësisht të pajisur dhe të gatshëm të presin personelin mjekësor që do të punojë, dhe qytetarët që do të marrin shërbim shëndetësor.

Këto dy spitale sipas ministrisë do të hapen pasi të jenë ezauruar shtretërit në Covid-1 dhe Covid-2 ndërsa fton qytetarët dhe demokratët të ndjekin komunikimet e përditshme zyrtare të këtij institucioni për t’u informuar.

REAGIMI I MINISTRISË

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, siguron edhe një herë qytetarët, se asnjë presje nuk ka ndryshuar nga strategjia jonë e përballimit të pandemisë Covid-19.

Siç kemi informuar edhe më herët, Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 janë tërësisht të pajisur dhe të gatshëm të presin personelin mjekësor që do të punojë, dhe qytetarët që do të marrin shërbim shëndetësor.

Por, siç e parashikon plani ynë – dhe siç e kërkon logjika – Covid-3 dhe më pas Covid-4, do të hapen pasi të jenë ezauruar shtretërit në Covid-1 dhe Covid-2. Kjo është edhe përgjigja ndaj shqetësimit të ngritur nga Partia Demokratike, se “ende në Covid-3 nuk është trajtuar asnjë pacient me Covid”.

Pacientët do të trajtohet, kur ky spital të hapet.

Ftojmë qytetarët, dhe Partinë Demokratike, që të ndjekin komunikimet e përditshme zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për t’u informuar.