Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të mos japin kurrë ryshfet në zyrat e shtetit, por të regjistrohen në adresën “shqipëriaqeduam.al” për të adresuar çdo lloj problematike.

Përmes rastit të një qytetari nga Durrësi, që u sorollaste nga punonjësit e Hipotekës së Durrësit, kreu i ekzekutivit iu drejtohet shqiptarëve, duke iu thënë se ata mund të ngrenë në këmbë çdo ministër, me problematikat e tyre, pa kërkuar miq e rrugë për të dhënë ryshfet. 

Rama bën me dije se durrsakut iu dha zgjidhja në sajë të platformës pas 1 viti e gjysmë pa përgjigje, ndërsa punonjësit e Hipotekës u larguan nga puna dhe do të ndiqen penalisht.

“MIRËMËNGJES  dhe me këtë rubrikë të re, që përmes shembujve konkretë mes qindra të tillëve çdo muaj, ju inkurajon të mos pranoni asnjë sorrollatje në zyrat e shtetit; të mos kërkoni as miq e as rrugë për të dhënë rryshfet, po të merrni vetëm 3 minuta kohë në adresen shqiperiaqeduam.al, për të ngritur në këmbë ministrin përkatës në mbështetje të së drejtës suaj, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.