Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës ka hartuar një raport që bazohet mbi monitorimin që i ka bërë kjo qendër bashkisë së Durrësit lidhur me masat e ndërmarra në kuadër të pandemisë Covid-19.

Raporti bëhet në kuadër të projektit POP 2020 “Monitorimi i zbatimit të kontratës sociale në nivel lokal” të mbështetur nga Olof Palme Centre International, përmes mbështetjes financiare të Qeverisë Suedeze. 

Gjatë muajve mars dhe prill 2020, organizatat patën si qëllim:

• Të monitorojnë Këshillat Bashkiakë dhe veprimtarinë e bashkive për marrjen dhe zbatimin e masave në kuadër të fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë;

• Të raportojnë gjetjet dhe rekomandimet;

• Të lobojnë dhe advokojnë për përmbushjen e prioriteteve të qytetarëve sidomos në kuadër të Dimensionit Social, Transparencës dhe Llogaridhënies.

Monitorimi i punës së bashkisë Durrës nga CSDC është përqendruar në disa çështje sensitive sociale si shpërndarja e ndihmave për kategoritë në nevojë gjatë pandemisë, shpërndarja e kësteve të bonusit të qirasë, shpërndarja e ndihmës ekonomike, përfituesit e pagës së luftës etj.

Në raport janë intervistuar edhe qytetarë apo biznese durrsake, që kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia dhe ndihmës së marrë nga institucionet vendore gjatë kësaj periudhe.

Vlen të theksohet fakti se shifrat e publikuara në raport i referohen muajit mars dhe gjysmës së muajit prill.

Një pikë tjetër e rëndësishme e trajtuar në raport është dhe mësimdhënia online, ku evidentohet që sidomos në zonat rurale nxënësit kanë hasur shumë vështirësi për procesin mësimor online, kjo dhe për shkak të mos pajisjes me telefona “smart”, kompjuter. 

Më poshtë gjeni të plotë raportin e monitorimit të bashkisë lidhur me masat e ndërmarra në kuadër të pandemisë Covid-19, bërë nga Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës.