Kryeprokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, ka paraqitur para Komisionit Parlamentar të Ligjeve raportin e Prokurorisë për vitin 2018. Në fjalën e saj përmbledhëse, Marku ka theksuar se vërehet një rritje e ndjeshme e procedimeve penale në krahasim me vitin e mëparshëm, duke shtuar se Vlora është qarku me nivelin më të lartë të kriminalitetit.

“Për vitin 2018 kemi më shumë procedime penale se në vitin 2017. Viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për prokurorët dhe gjyqtarët, për shkak të procesit të vettingut. Prokurorët kanë qenë disi apatik, pasi në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar në punën e tyre. Një pjesë e procedimeve janë nisur nga Prokuroria, ndërsa më shumë janë referime nga qytetarët dhe policia. Gjithsej, janë bërë më shumë se 57 mijë procedime. Më shumë procedime penale janë shënuar në Tiranë, më pas në Durrës, Elbasan, Shkodër.  Përqindja më e ulët e kriminalitetit është në qarkun e Dibrës, kurse më të lartë e ka qarku i Vlorës.”– u shpreh kreu i organit të akuzës.

Duke iu referuar raportit, Marku tha se përgjatë vitit 2018 janë dënuar më shumë se 10 mijë persona dhe se mes veprave penale më të shpeshta janë: vjedhja e pasurisë, krimet ndaj personit, krimet ndaj tokës, veprat e dhunës, kryesisht në familje.