Përpara Ministrisë së arsimit, ekipi i Qëndresës Qytetare, zhvilloi një protestë kreative në formën e ekspozitës. Njëra pas tjetrës u renditën skandalet që kanë ndodhur në shkolla dhe universitetet publike në 20 muaj punë të ministres aktuale të arsimit, Besa Shahini. Gjithashtu, një hapësire u ishte kushtuar qytetarëve për të vlerësuar me notë ministren.

Reagimi i ministres Shahini erdhi vetëm sot, kur kanë kaluar disa ditë nga denoncimi i bërë në media. Shahini reagoi përmes një statusi në Facebook, ku thotë se në këto dy vite ka parë që jeta e grave dhe vajzave të shkatërrohet nën peshën e kazanit mediatik.

Ajo shkruan se janë marrë masat e nevojshme për të parandaluar viktimat e abuzimit dhe se “asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet. Sidomos në shkollë”.

“Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë!” – vijon më tej ministrja Shahini, por nuk rendit asnjë rast konkret të parandalimit apo ndëshkimit për këto fenomene negative të denoncuara në media.

Postimi i ministres Shahini: 

Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit.

Kam mbi dy vite në Shqipëri që shoh jetët e grave dhe vajzave të shkatërrohen nën peshën e kazanit mediatik, dhe jo vetëm! Të gjithë ne kemi detyrimin të ngrejmë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur. Por në këtë proces nuk guxojmë të thellojmë dëmin ndaj të dëmtuarit.

Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet! Sidomos në shkollë! Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë!

Dua të nënvizoj edhe një herë: shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për përfitim të vëmendjes është abuzim në vete. Ndaj edhe këtë formë të abuzimit do të bëj çmos ta luftoj!