Shoqata e Mediave Elektronike deklaroi se me forcën e kartonëve, dje, partitë e mazhorancës së re, kanë miratuar në parlament një amendim të ligjit për partitë politike, i cili i detyron radiotelevizionet private të transmetojnë falas reklamat e partive politike gjatë fushatës elektorale.
“Ky ligj është miratuar në shkelje flagrante të Kushtetutës, e cila garanton lirinë dhe mbrojtjen e pronës private në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Shoqata thotë se gjithashtu bie ndesh hapur me dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i cili ka përcaktime të tjera për reklamat në fushatën zgjedhore. Ky ligj, është rasti i vetëm në botë që u jep të drejtë partive politike të detyrojnë mediat e lira dhe private t’u bëjnë shërbim falas.
Shoqata e Mediave Elektronike e konsideron dhunim të hapur të pronës private dhe shkelje flagrante të lirisë së mediave në Shqipëri. “Ky akt banditesk është një grabitje me ligj e financave të radiotelevizioneve private në interes të ngushtë të partive politike”.
Shoqata u bën thirrje të gjithë radiotelevizioneve në Shqipëri, të mos e njohin këtë ligj grabitqar, të hartuar dhe miratuar në kundërshtim flagrant brenda një mbasditeje, pa u respektuar procedurat parlamentare për hartimin dhe miratimin e ligjeve, pa u dëgjuar më parë aktorët e interesit dhe në fshehtësi të plotë edhe të vetë deputetëve, të cilëve u është vënë në tavolinë vetëm pak minuta para votimit.
“Ne u bëjmë thirrje mediave të respektojmë dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i cili prevalon mbi çdo ligj tjetër gjatë fushatës zgjedhore”, vijon deklarata.
Shoqata e Mediave Elektronike u bën thirrje mazhorancës së re PS-PD, të respektojë dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi sa u përket transmetimit të reklamave në radiotelevizionet private. “Reklama falas nga një biznes privat nuk mund të këtë. Në rast se partitë nuk kanë arritur t’i bëjnë kaq lekë, ose nuk duan t’i tregojnë lekët që kanë bërë gjatë këtyre viteve në pushtet dhe opozitë, të pranojnë me ligj apo VKM që lekët e reklamave të tyre t’i paguajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kanë propozuar më parë”, theksohet në deklaratë.
Në rast refuzimi, Shoqata do ta padisë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe do t’i drejtohet gjithë institucioneve ndërkombëtare dhe atyre të mbikëqyrjes zgjedhore, duke e denoncuar si akt i grabitjes së pronës private në kundërshtim flagrant me çdo normë ndërkombëtare të funksionimit të lirisë së pronës private dhe lirisë së mediave.
“Radiotelevizionet e kanë të pamundur të financojnë apo sponsorizojnë partitë politike në Shqipëri. Nëse ky ligj nuk ndryshon, atëherë televizionet do të ndërpresin të gjitha transmetimet gjatë fushatës”, mbyllet deklarata.