Në datë 20 nëntor, 2018, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD), Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, mori pjesë në sesionin “Përmirësimi i aftësive dhe teknologjive konkurruese për të kthyer rrjedhjen e trurit në përftim të dijes në Rajonin Adriatik-Jonian”, të organizuar nga "Rrjeti Adriatik-Jonian i Universiteteve, Rajoneve, Dhomave të Tregtisë dhe Qyteteve" (AI-NURECC Initiative).

Fjala e Sotirofskit u përqëndrua në mënyrat e bashkëpunimit mes autoriteve në Rajonin Adriatik-Jonian për të ndaluar fenomenin e rrjedhjes së trurit dhe mundësuar kontributin e të larguarve në vendin e tyre, si dhe në masat konkrete që duhen ndërmarrë për të nxitur punësimin dhe përfshirjen e të rinjve.

Në hyrje të fjalës së saj, Prof. Dr. Sotirofski, tregoi dinamikat e emigracionit në Shqipëri, duke vënë theksin në faktin që studimet e fundit tregojnë që largimi për një edukim më të mirë është më i rëndësishëm sesa 10 vite më përpara.

Pasi renditi arsyet e largimit të akademikëve ajo sugjeroi që me mundësimin e lehtësirave në kërkim shkencor dhe meritokracinë për avancimin në karrierë mund të ulet shkalla e emigrimit të tyre. Znj. Rektore u ndal gjithashtu në efektet e rrjedhes së trurit në zhvillimin e vendit, si dhe solli shembuj konkretë të kthimit të trurit, veçmasi në botën akademike.

Në fund të fjalës së saj, ajo nënvizoi nevojën për të përfshirë botën akademike në hartimin e politikave në vend, rëndësinë e projekteve afat-shkurtra kërkimore dhe programeve të mentorimit për të mbajtur dhe forcuar lidhjet me akademikët, të cilët tashmë punojnë në Europën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.

AI-NURECC është një nismë që përfshin palë kyçe të interesit të Rajoneve Adriatiko-Joniane. Takimi i mbajtur në Tiranë pritet të nxisë reflektime mbi veprimet që duhen ndërmarrë në të ardhmen për të promovuar një dialog me të gjerë dhe bashkëpunim më efektiv mes Rajoneve, autoriteteve lokale, universiteteve, Dhomave të Tregtisë dhe shoqërisë civile në vendet që përfshihen nga nisma AI-NURECC.