Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Kseanela Sotirofski ka zhvilluar sot një takim me drejtorin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Alban Isteri.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të UAMD-së në Facebook, bëhet e ditur se në takim u diskutua ngritja e një Bordi Strategjik të Universitetit më anëtarë të komunitetit të biznesit, që do të ndihmonte në përshtatjen e kurrikulave sipas kërkesave të tregut të punës dhe tranzicionin e suksesshëm të studentëve drejt këtij tregu.

“Në datë 29 tetor, 2020, Rektori i Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski priti në takim Drejtorin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës (CCIDR), z. Alban Isteri.

Në takim morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Biznesit, Prof. As. Dr. Shkëlqim Fortuzi, Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Prof. As. Dr. Osman Metalla, Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike, si dhe përfaqësues të CCIDR-së.

Në takim u diskutua ngritja e një Bordi Strategjik të Universitetit më anëtarë të komunitetit të biznesit, që do të ndihmonte në përshtatjen e kurrikulave sipas kërkesave të tregut të punës dhe tranzicionin e suksesshëm të studentëve drejt këtij tregu.

Palët ranë dakord për ngritjen e shpejtë të një grupi pune, i cili do të hartojë një kalendar të përbashkët aktivitetesh që do të përfshijë forume shkencore, panaire dhe organizime të tjera.

Fokus në takim iu kushtua edhe bashkëpunimit mes CCIDR-së dhe Fakultetit të Biznesit dhe atij të Studimeve Profesionale në çështje me interes të përbashkët.”, shkruhet në postim.