Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se dy viktima dhe 72 të infektuar të rinj janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit.

Një 70-vjeçar nga Shkodra dhe një 54-vjeçar nga Tirana, të konfirmuar me Covid-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë kujdesin e mjekëve dhe terapinë intensive. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 77 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 38 qytetarë, duke e çuar në 1384 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 374 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 72 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë.
Në vendin tonë aktualisht janë 963 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria u drejtohet me një lutje gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë, të vendoset detyrimisht maska në shërbim, edhe nga çdo qytetar kur është e pamundur ruajtja e distancës fizike, si e vetmja mënyrë për kufizimin e përhapjes së infeksionit.

“Të nderuar qytetarë, rastet ditore do të vazhdojnë të shfaqen në ndërmarrje biznesi, institucione, nëse ju nuk zbatoni rregullat e vendosura.

E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njërëzve tuaj të dashur.

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton se për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur”, apelon MSH.

COVID-19 – Statistika (28 Qershor 2020)

  • Testime totale                         26292
  • Raste pozitive                          2402
  • Raste të shëruara                      1384
  • Raste Aktive                             963
  • Humbje jete                              55 (Qarku Tiranë 31, Durrës 9, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 6, Kukës 1, Elbasan 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

  • Tiranë     371
  • Durrës     181
  • Shkodër     162
  • Vlorë     103
  • Fier         48
  • Lezhë     33
  • Korçë     26
  • Kukës     15
  • Elbasan     12
  • Gjirokastër 7
  • Berat      5