Shtohet numri i viktimave nga COVID-19, duke arritur në 21 persona.

Ka vdekur në Spitalin Infektiv ish-boksieri Skënder Kurti, i cili disa ditë më parë u deklarua i vdekur nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas lajmi u korrigjua, pasi Kurti kishte pësuar vdekje klinike. Me vdekjen e Kurtit shkon në 21 numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në vendin tonë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kampionit të boksit.

“Te qofte dheu i lehte Ner Kurti! Nuk arrij ta besoj qe kete here nuk ja dole!”, shkruan Paloka në Facebook.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë, në njoftimin për mediet shkruan se Kurti vuante nga hipertensioni dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.

“Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi. 

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19″,- shkruhet në njoftimin e ministrisë.