E ndërtuar 85 vite më parë, godina simbol e qytetit të Durrësit, që shërben si degë e Bankës Tregtare pritet t’i nështrohet rikonstruksionit të saj.

E ndodhur në një pikë strategjike të qytetit, me pamje nga Porti Detar i Durrësit, godina e Bankës Tregtare në pjesën ballore ka simbolin e mbretëreshës Teuta.

Godina e Bamkës është pjesë e një rrjeti godinash, të cilat u ndërtuan   në vitet 1920-1930 në qytetin e Durrësit që nuk arritën të bëheshin pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura nga shteti.

Bashkia e qytetit, vila mbretërore mbi kodër, Banka e shtetit dhe godina e hotelit që vazhdon të thirret me emrin “Vollga”, janë ndërtuar 80 vjet më parë në katër pika përcaktuese duke i hapur rrugë vizionit për zgjerimin e ardhshëm të Durrësit, qytetit që numëronte me vështirësi 7-8 mijë banorë dhe që në fund të pushtimit otoman ishte tkurrur në një sipërfaqe mjaft të reduktuar brenda mureve të kalasë mesjetare.

Bashkë me godinat e xhamisë së Madhe, (ndërtuar në vitin 1938), pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” (1964) dhe ish-godina e komitetit të partisë (1974), aktualisht institucioni i prefektit dhe Këshilli i Qarkut, ndërtesa e bashkisë ka kuadratuar sheshin “Liria”, emri i të cilit (Lirija) ishte vendosur gati 100 vjet më parë.

Banka e Shtetit, godina e kartolinave

Fotot e vjetra të Bankës së Shtetit na sjellin në kujtesë një godinë të ndërtuar buzë limanit detar, ngjitur me pallatin e Princ Vidit (Ëied), ku ishte ngjizur një pjesë e historisë së shtetit të ri shqiptar.

Godina luksoze me mjedise që u bëjnë nder edhe sot reklamave televizive bankare, ishte një shprehje tjetër e interesit financiar të fqinjëve italianë në brigjet shqiptare.

Njëlloj si në rastin e bashkisë “fati i mirë” deshi që 80 vjet pas ndërtimit aksionarët e Bankës Kombëtare Tregtare, që janë bujtësit aktualë të saj, e rindërtuan fasadën duke i kthyer shkëlqimin e dikurshëm.

Qyteti 3000-vjeçar përfitoi një pikë tjetër referimi të historisë së tij moderne, megjithëse godina nuk e ka statusin “Monument kulture”.

K.H.