121 shqiptarë, mes tyre një bebe, janë riatdhesuar pasditen e së hënës nga Gjeneva. ‘Lasgushi’ mbërriti në Rinas duke sjellë në shtëpinë e tyre shtetasit e mbetur të bllokuar në Zvicër pas mbylljes së kufirit.

Ndërkohë edhe nga Lioni i Francës u nisën 116 shtetas shqiptarë që mbërritën në Rinas rreth orës 1 e 30 të natës.

Ndërsa sot, është planifikuar edhe një udhëtim tjetër i ‘Lasgushit’ nga Frankfurti i Gjermanisë rreth orës 23:00 për të sjellë shqiptarët e bllokuar dhe atje.

Këto fluturime vijnë pas riatdhesimit të 112 shqiptarëve nga Roma dhe 165 nga Kroacia mbrëmjen e të shtunës.

Kryeministri Rama tha se lista e personave që do të sillen në Shqipëri është e mbyllur dhe se ato që do i hipin avionit drejt Rinasit do të njoftohen nga ambasadat shqiptare në vendet përkatëse.

Pjesë e riatdhesimeve janë shqiptarët e bllokuar pas mbylljes së kufijve dhe studentët.