Sot ka rifilluar transporti ndërqytetës pas më shumë se 3 muajsh pezullim. Në qytetin e Durrësit, ashtu siç pritej pas vendimit të publikuar dje nga qeveria, nisi punë sot transporti publik, ndërsa mbetet ende pezull transporti urban brenda qytetit.

Që herët në mëngjes kanë rifilluar punë autobusët dhe furgonët e linjave që nisen nga Durrësi drejt të gjitha qyteteve të Shqipërisë, por duke zbatuar protokollin e masave të sigurisë për shkak të pandemisë.

Ndërkohë që më në fund zgjidhet problematika e qytetarëve për të udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin, në Durrës ashtu si dhe në Tiranë e në disa qytete të tjera, banorët vazhdojnë ende të vuajnë mungesën e transportit urban.

Pavarësisht se ministrja e Shëndetësisë lajmëroi dje heqjen e kufizimit për transportin publik, por u shpreh se do të zbatohen rregulla strikte, ku maska do të jetë e detyrueshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e rregullave, Shoqata e Transportit Publik refuzon rikthimin në punë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.