06/03/2021 - 16:37
Banorët e pallatit nr.1187/1188, lagjja nr.16 në Durrës kanë protestuar për rikontruksionin që i është bërë godinës ku banojnë 54 familje, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ata kanë rregulluar ambientet e brendshme të apartamenteve ndërsa muret jashtë vijojnë të jenë të dëmtuara duke iu shkaktuar edhe lagështirë, kjo e fundit e theksuar sidomos pas reshjeve të pak kohëve më parë.
"Kam shkuar dy herë në Urbanistikë, i kam shkruajtuar, kam filmuar shtëpinë që është e lagur. Ka hyrë gjithë ai shi që ra, më rroftë mua që e rregullova, harxhova lekët."
Një tjetër banore, ish-punonjëse e bashkisë me profesion inxhiniere ndërtimi, shprehet se pallatit po i bëhet vetëm bojatisje.
"Për punimet e brendshme i kemi dalë për zot vetë, kurse për punimet e jashtme ka një muaj që sorollaten me një vinç lëvizës dhe vetëm po e lyejnë. Kush familje do që ta bëjë me ta do paguajë nga 500 mijë lekë. Për 500 mijë lekë unë nuk marr këtë firmë, se ia shoh punimet sesi i bën. Sa për bojatisje të mos vijnë fare. Të gjithëve iu hyn uji brenda. Janë plasaritje që nuk duken dhe uji ka hyrë brenda."
Ndërsa një tjetër banor thotë se bashkia nuk ka bërë asgjë për shqetësimin e tyre. "Hoqën skelën edhe ikën", përfundon ai.
/portali DurresLajm/