Mëngjesin e sotëm maturantët e Durrësit janë rikthyer në bankat e shkollës pas dy muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë.

Nën masa të rrepta distancimi, nxënësit kanë hyrë në ambientet e shkollave të pajisur me maska e doreza, ndërsa u matej temperatura në hyrje të godinës.

Kjo situatë e re për ta është pak e vështirë si fillim por siç shprehen edhe maturantët e gjimnazit “Leonik Tomeo”, do të mësohen.

“Është pak e vështirë si fillim por do mësohemi”, thotë nxënësja.

“Besoj se më këto konsultime që do bëjmë tani do jemi gati për provime”, thotë një tjetër.

Në rregulloren e përcaktuar nga ministria, nuk duhet të jenë më shumë se 15 nxënës në klasë. Deri më 5 qershor maturantët do të përsërisin njohuritë për 4 lëndët që janë provime të maturës shtetërore.